Edicioni i 23-të i “Këngës Magjike”, ndryshe nga viti i kaluar, do të zhvillohet sipas traditës ndër vite. Produksioni njoftoi se në datat 23 dhe 24 maj 2022 artistët mund të dorëzojnë këngët e tyre pranë Tv Klan. Festivali i këtij viti do të organizohet në nëntor, ndryshe nga ai i vitit të kaluar ku netët finale u mbajtën në muajin maj. Më herët është zbuluar se anëtarët e jurisë për “Kënga Magjike 2022” do të jenë kantautori Pirro Çako, aktorja Ema Andrea, këngëtarja Jonida Maliqi dhe gazetaret Mira Kazhani dhe Kozeta Kurti. Fitues i edicionit të kaluar u shpall Alban Ramosaj me këngën “Thikat e mia”, ndërsa grupi Urban Band fitoi çmimin “Best New Artist”. Festivali mungoi në vitin 2020 dhe për herë të parë u organizua në pranverën e vitit 2021, një vendim që siç duket ka ndryshuar këtë vit.