Belind Këlliçi ka dorëzuar këtë të enjte (23 mars) mandatin e deputetit për t’u fokusuar në garën për kryetar bashkie në Tiranë. Këtë e bën me dije vetë deputeti në fjalën e tij në Kuvend. Teksa kritikoi modelin qeverisës, Këlliçi tha se do të luftonte për një model ku vendimet do të merren me konsensusin e qytetarit, ndërsa theksoi se e ardhmja e të rinjve do të jetë e vetmja busull përqendrimi.
“Sot do të dorëzoj mandatin e deputetit, duke nisur nga nesër do të jem kandidati i Tiranës. Nuk mund ta fsheh, që largohem i pezmatuar, kur mendoj se si kryeministri i vendit tim ka lëshuar këtu fyerjet dhe etiketimet më të rënda ndaj opozitës dhe ku asnjë ditë nuk ushtroi atë që njihet si themeli i vlerave europiane, që është mbajtja e përgjegjësisë.
Kurrë nuk mbajti ai përgjegjësi për punët që kanë shkuar gjithnjë e më keq në vend, për braktisjen masive e shpopullimin e vendit nga të rinjtë, për rastet flagrante të korrupsionit e abuzimit të detyrës nga njerëzit më të afërt e më të pushtetëshëm në këto 10 vite qeverisje, për thellimin e keqqeverisjes, për cënimin e votës, për varfërimin e skajshëm të qytetarëve tanë, për ngushtimin e hapësirave të lirisë, për kapjen e drejtësisë dhe të medias. Kurrë nuk mbajti asnjë gram përgjegjësi kryeministri ynë. Dhe kurrë, nuk tha një herë të vetme, se po ky është faji im. Por vetëm sulmoi e përdori edhe instrumenta ekstraligjorë, kundër kundërshtarit të tij politik, në përpjekjet më primitive, parapolitike, për asgjësimin e Opozitës.
Unë kam ende shumë për të mësuar, se për fat jam ende i ri. Por një gjë e di mirë. Modeli politik që keni ofruar ju, kjo sallë, ky kryeministër dhe kjo qeveri, nuk do të jetë kurrë modeli që unë do të ndjek. Por do të jetë modeli që do ta luftoj me sa fuqi do të kem”, tha Këlliçi.
Belind Këlliçi është kandidat i dalë nga Primaret, drejtuar nga ish-kryeministri, Sali Berisha. Ky i fundit nuk e zotëron logon dhe vulën e PD, ndaj Këlliçi në betejën e 14 majit do të përfaqësojë logon e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.