Kryeministri Edi Rama është ndalur në qytetin e Ballshit ku në vijim të aksionit të PS ka mbjellë pemët elektorale, por edhe ka parashtruar përpara banorëve mallakastriotë projektet e së ardhmes për qeverisjen katër vjeçare.
Përpara kryeministri Rama, kandidati i Partisë Socialiste për kryetar bashkie për Mallakastrën, Qerim Ismailaj tha sot se, ndryshimi për këtë qytet do të vijojë dhe pas 14 majit. Ismailaj renditi një sërë projektesh të bëra në qytet, të cilat po vijojnë për zhvillimin e mëtejshëm.
“E filluam ndryshimin e Mallakastrës nga ky shesh, që falë vizionit të kryeministrit Rama për Rilindjen Urbane, u bë e mundur që edhe qyteti i Ballshit të ndryshonte plotësisht për mirë, një projekt i financuar nga qeveria shqiptare. E vazhduam ndryshimin e Ballshit me ndërtimin e parkut tek liqeni artificial. Vazhduam me asfaltimin e rrugëve brenda lagjeve të qytetit. Aktualisht po punohet me rikonstruksionin e fasadave të pallateve me sistemin kapot, për ruajtjen e eficiencës së energjisë, projekt që do të shtrihet në gjithë pallatet e qyteti të Ballshit”, u shpreh Ismailaj.
Ai shtoi se, “bashkëpunimi me qeverinë shqiptare nuk ishte vetëm në këtë fushë, por edhe në infrastrukturën e ujit të pijshëm. Këtu vlen të theksojmë dy projekte shumë të rëndësishme për Mallakastrën, ndërtimi i ujësjellësit Poçem-Qafa e Kashit dhe rikonstruksioni i rrjetit të brendshëm të qytetit të Ballshit dhe rrethinave përreth tij. Ky bashkëpunim u shtri më tej edhe në infrastrukturën rrugore, konkretisht dy projektet më të rëndësishme, të cilat janë në proces, segmenti autostradë Levan-Tepelenë, segment jetik për turizmin dhe ekonominë e Mallakastrës. Një projekt tjetër, i cili ka nisur punën, është projekti i cili do të lidhë Mallakastrën me Lumin e Vlorës, si dy krahina që kanë qenë përkrahë në çdo kohë. Projekti Poçem-Vllain-Peshkëpi, ndërtimi i pritave lumore në fushën e Hekalit, Mollasitdhe Rromsit dhe në shumë e shumë sektorë të tjerë”.
Ismailaj tha se, aktualisht po punohet në sistemin energjetik, vendosjen e sistemit kabllor ku deri më tani janë mbi 150 km linja të shtrira dhe ky projekt do të vazhdojë më tejdhe në investimet e pritshme janë shtrimi i 44 km rrugë me asfalt në zonat rurale.