Kandidati për bashkinë e Patosit Fatjon Duraj është takuar me banorët e fshatit Ruzhdie i shoqëruar nga kryetari i grupit parlamentar dhe njëherësh drejtues politik i PS për qarkun e Fierit, Taulant Balla. Gjatë këtij takimi kandidati Duraj ka vlerësuar punën e deritanishme të kryetares Rajmonda Balilaj, por ka shpalosur dhe prioritet për katër vitet e ardhshme. Në këtë takim Balla ka theksuar se njësia administrative Ruzhdie është shembulli i përpjekjes së Sali Berishës për të vjedhur zgjedhjet, ku të gjithë këtu, tha Balla, janë dëshmitarë se si mbusheshin kutitë, se si kërcënoheshin komisionerët e Partisë Socialiste në kohën e nongratës. “Ruzhdia si njësi administrative ishte tema e debatit të madh politik në vitin 2009.
Ruzhdia u njoh deri në Bruksel, deri në Uashington, e më besoni se një prej arsyeve se Sali Berisha është sot një ‘non grata’ i madh, është prej historive që bënte me zgjedhjet, historitë e 26 majit 1996, historia e 1997, historitë që lidhen me zgjedhjet, historitë që lidhen Gërdecin, historitë që lidhen me 21 Janarin. Dhe kur Saliu bëhet çift, përputhet me Ilir Metën, aty pastaj bëhet edhe më keq akoma. Pikërisht njësia administrative “Ruzhdie” ishte shembulli i përpjekjes së Sali Berishës për të vjedhur zgjedhjet, dhe në fakt të gjithë këtu janë dëshmitar se si mbusheshin kutitë, se si kërcënoheshin komisionerët e Partisë Socialiste. Ajo kohë duhet të marrë fund, ne duhet të ecim përpara, të vazhdojmë në drejtimin e duhue e ta çojmë përpara Shqipërinë.
Jemi në kohën e duhur për të marrë vendimet e duhura, nuk ka më “Ruzhdia” kohë për të humbur me Saliun dhe Ilirin, sepse edhe demokratët në këto zgjedhje nuk kanë më arsye të shkojnë dhe të çojnë votën tek Ilir Meta, Vangjel Dule dhe Nard Ndoka. Shqiptarët janë dhe mbeten properëndimorë kudo që jetojnë, edhe në Shqipëri, edhe në gjitha trojet tona etnike”, shprehet Balla.
Gjithashtu Balla u shpreh se nën qeverisjen e Partisë Socialiste Shqipëria tashmë është një vend më i respektuar se kurrë, ndaj u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojmë të ecin përpara dhe të mos shohin nga e shkuara. “Kur Saliu dhe Iliri qeverisnin bashkë, Shqipërinë nuk e vizitonte asnjë Kryeministër dhe asnjë President europian. Shqipëria ishte krejtësisht e izoluar për shkak të korrupsionit dhe minimit të demokracisë nga ‘non grata’ e madhe, ndërsa sot Shqipëria është një vend që respektohet në të gjithë arenën ndërkombëtare, respektohet nga të gjithë partnerët strategjik të Shqipërisë. Sot Shqipëria është një vend më i respektuar se kurrë, ndaj të vazhdojmë të ecim përpara”, tha Balla.