Atë çfarë kryetarja e bashkisë Majlinda Bufi nuk ua ka bërë për tetë vjet të qeverisjes së saj, pra investimin në rrugën e Kurjanit me gjatësi katër km nga qendra e qytetit, e kanë bërë banorët e zonës të cilët kanë mbushur gropat dhe bërë të kalueshme rrugën nëpër të cilën kalojnë çdo ditë nxënësit e këtij fshati, kalojnë banorët me probleme shëndetësore, etj. Përballë kësaj situate, banorët kanë mbledhur lekët për të hedhur disa makina me çakëll e për ta zbutur situatën. Por policia ka ndaluar autorët që kanë hedhur çakllin pasi sipas drejtuesve të bashkisë së Roskovecit është shkelur ligji. Për këtë dukuri ka reaguar dhe kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë Erdit Hazizaj i cili shkruan: “Forcat e Policisë, të detyruar nga kryeinspektorja Zegjine, ndalojnë qytetarët, pasi po shtronin rrugën e vetme e të pakalueshme të komunikimit të tyre me punën, shkollën e fëmijëve, jetesën, sepse nuk ishin “ pajisur me autorizimin përkatës”.
Ajo në fakt e kishte hallin se kush ishte personi i “ vërtetë” që e kishte bërë këtë krim. Pastaj na ndriçon fushëpamjen Sekretarja e Përgjithshme e Bashkisë, e cila na thotë se: Pavarësisht me çfarë qëllimi je nisur ti, (që do të çosh fëmijët në shkollë, por unë s’ta kam shtruar rrugën) ky është krim. Në tetë vite zonja dhe zotërinj, kryetarja që sheh “Përpara”, nuk ja ka zënë syri ende detyrimin parësor mbi komunitetin. Por nuk mbaron me kaq, në 8 vite ajo dhe stafi i saj arrogant (nga injoranca sigurisht) nuk kanë lexuar të drejtat dhe detyrimet që marrin nga votat e atyre që i ulën në karrige.
Ai ka dokumentuar përmes një video “reagimin e dy nga figurave më të rëndësishme të institucionit që është drejtuar nga largpamësit. Tashmë të jesh arrogant, bën pjesë në komunikimin tipik të këtij pushteti. Sa për premtimet e tyre, me to vetëm mund të qeshë njeriu. Në 8 vite, Roskoveci me gjithë fshatrat e tij duhej të ishte bazë për ekonominë jo vetëm të zonës, por edhe të vetë Shqipërisë. Atë sheqerin që ja ke falur Gjyshit, mos ja merr ta harxhosh rrugëve e yshtjeve, se ata që shohin vërtetë përpara, do të të tregojnë me 14 Maj sa mbrapa e ke lënë Roskovecin. Që të shohësh mirë, kalo njëherë nga SPAK se mos ta qartëson fushëpamjen.”