Ballina Lajme Politike  Julian Deda: Jam i gatshëm të kandidoj përballë Erion Veliajt: Në dorë...

 Julian Deda: Jam i gatshëm të kandidoj përballë Erion Veliajt: Në dorë e kanë demokratët

1

TIRANË- Nisin të shfaqen kandidaturat e opozitës për zgjedhjet lokale. Aktori, njëherësh anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Julian Deda, ka shprehur gatishmërinë për të kandiduar përballë Erion Veliajt për Bashkinë e Tiranës. Në një intervistë për Euronews Albania, Deda deklaroi se kjo duhet të vendoset nga të gjithë demokratët përmes primareve.

“Tani, ndoshta ka ardhur koha që ta marrin në dorë njerëzit atipikë, që i shohim përditë, që vuajnë njësoj si ne. Kemi nevojë t’i shohim këto njerëz të na drejtojnë, ndoshta këto njerëz na e dinë më mirë hallin, sesa një politikan i sprovuar në karrierë, i cili i ka mbyllur hallet e veta. A do doja unë të isha? Nëse demokratët e vendosin, po. Do doja të isha, nuk ka asnjë problem. E kam me shumë dëshirë dhe pse jo, pse mos të jem, nëse demokratët vendosin. Por duhet të jemi të gjithë bashkë që ta vendosim. Atë do ta vendosin demokratët dhe gara brenda Partisë Demokratike, jo sondazhet në portale. Nëse vendosin demokratët, unë do të jem i gatshëm të zhvishem nga këto rroba që kam sot dhe të mbyllem në kullë dhe të punoj për kryeqytetin, patjetër,”- tha Deda.

Julian Deda është një nga emrat e lakuar si kandidat i mundshëm i Opozitës për Bashkinë e Tiranës. Dosja.al bëri një sondazh dhe Deda ishte një prej alternativave të listuara. Ai doli me 11% të votave duke lënë pas Gert Bogdanin me 10%. I pari në listë ishte mjeku Ilir Alimehmeti me 60% të votave, ndërsa i dyti qëndronte Belind Këlliçi me 19%.

Nga ana tjetër, sot kryedemokrati Sali Berisha ka kërkuar takim me të gjithë drejtuesit politikë të qarqeve. Për herë të parë, nesër takohet Edi Paloka dhe Gazment Bardhi, të cilët do të diskutojnë për të mbështetur një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme. Deri më tani asnjë nuk ka kushte dhe fundi i muajit tetor do të na njohë me listën e kandidatëve të Opozitës.