Ballina Lajme Juga e Bardhë/Dy histori suksesi – Nga Ilirjan Gjika

Juga e Bardhë/Dy histori suksesi – Nga Ilirjan Gjika

1

Romani i njohur i shkrimtarit Jakov Xoxa do të shërbente si pikënisje për të emërtuar një prej verërave më të njohura shqiptare, prodhim i kantinës FABA. Ndoshta rastësi, por të dyja këto ‘’vepra’’ janë krijime dhe produkt i dy autorëve fierakë: Jakov Xoxës dhe Altin Drizës. I vlerësuar me titullin ‘’Nderi i Kombit’’, Jakov Xoxa trajtoi në veprimtarinë e tij artistike prozën e shkurtër, gazetarinë, publicistikën dhe dramaturgjinë. Të tilla ishin vëllimet me novela (1949) dhe (1958), dramat: ‘’Buçet Osumi’’ (1955) apo ‘’Zemra’’ (1958), si dhe romanet: ‘’Lumi i Vdekur’’ (1964), ‘’Juga e Bardhë’’ (1971) dhe ‘’Lulja e Kripës’’ (1980). Romani ‘’Juga e Bardhë’’ u botua në vitin 1971 dhe i vendos ngjarjet në Pirgan që nuk është veçse Shtyllasi, fshati pranë Apolonisë antike, ku apoloniatët kishin dikur pjergullat e tyre.

Ndërkohë që vera “Juga e Bardhë’’ është produkt i mendjes dhe duarve të enologut dhe prodhuesit të njohur të kantinës “FABA”: Altin Driza. Duke u përpjekur të krijonte një verë të bardhë me rrushin e rajonit të jugut të Shqipërisë, gjatë punës, ai zbuloi se titulli i këtij romani do të ishte gjetja e duhur për këtë rast. Dhe kështu, në respekt të shkrimtarit dhe kësaj vepre letrare, Altin Driza, e etiketoi këtë brand të ri me të njëjtin emër: ‘’Juga e Bardhë’’.

Ndërkohë që viti 2004 idhte koha e prezantimit dhe rrugëtimit të “Jugës së Bardhë”. E përbërë nga varietetet e rrushit: Chardonnay & Sau-Vignon Blanc, kjo verë dallohet për freskinë, aromën dhe shijen e veçantë, e cila prej 18 vjetësh vijon të marrë vlerësime nga më të ndryshmet.

Pervec medaljeve te ndryshme gjatë vitit 2022, mund të përmendim dy arritje të rëndësishme të saj. Të tilla ishin çmimet si: ‘’Produkti më i mirë’’, në Konkursin Ndërkombëtar Ballkanik të Verës, në Salaminë (Greqi) dhe Medalja e Artë në Panairin e Verës “Open Ballkan’’ në Beograd (Serbi). Kështu rrugëtimi i saj vijon njëlloj si ‘’Juga’’, era që sjell ngrohtësinë në pranverë dhe reshjet aq të domozdoshme për vreshtarinë dhe kulturat bujqësore në vjeshtë. Tashmë Fieri mund të krenohet me këtë brand, i cili ka krijuar identitetin dhe autoritetin e një vere të mirëfilltë shqiptare./Tv Kombi