Policia e Shkodrës ka vënë në pranga drejtorin e shkollës 9-vjeçare në fshatin Hot i Ri pasi lëshonte dëftesa false kundrejt fitimit, duke përdorur vulën e falsifikuar të një shkolle të mesme. Drejtori i shkollës bashkëpunonte me një 66-vjeçar, i cili shiste dëftesat false.
Blutë e Shkodrës njoftojnë se kanë sekuestruar 26 dokumente shkollore të paplotësuara, por të pajisura me vulën e shkollës së mesme, vula e shkollës 9-vjeçare, 5 USB, 1 celular, 640 euro dhe 16 000 lekë, të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
Drejtori i shkollës 9-vjeçare, pajiste me dëftesa false persona të ndryshëm, kundrejt shumës 3200 euro, ndërsa përdorte vulën e falsifikuar të një shkolle të mesme në fshatin Breg Lumi.
“Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, dyshohet se këta shtetas bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për të falsifikuar dëftesa, duke përdorur vulën e falsifikuar të shkollës së mesme në fshatin Breg Lumi, dhe për të pajisur me këto deftesa, shtetas të ndryshëm, kundrejt përfitimeve monetare”, njofton policia.
Blutë e Shkodrës kanë arrestuar Gj. K., 54 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë Drejtor i shkollës 9-vjeçare në fshatin Hot i Ri, dhe Gj. F., 66 vjeç, banues në Shkodër.
/rtsh.al/