Rreth dy muaj më parë, Mozzik njoftoi se shtëpia e tij në Ferizaj ishte grabitur. Tashmë ngjarja duket se ka marrë një zhvillim të ri dhe shumë shpejt mund të zbardhet plotësisht sepse janë arrestuar 3 persona të dyshuar se ndër veprat kriminale kanë kryer edhe vjedhjen e shtëpisë së reperit.
“Për çdo lëvdatë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës z.Gazmend Hoxha për angazhimin profesional e të sinqertë. Gjithsesi ekipi fantastik i Sektorit Rajonal të Hetuesisë Ferizaj në këtë zinxhir, nga unë marrin duartrokitjet më të mëdhatë.
Qenkan arrestuar 3 persona të qytetit Ferizaj ku edhe dyshohen se njëra nga veprat kriminale që kan kryer është pikërisht shtëpia ime (e vjedhur, e thyer). Pak jam mahnitur nga saktësia e tyre, pak nga shkathtësia e tyre, pak nga profesionalizmi i tyre, por prapë besoj nuk patën ku të shkojnë. Çdo ditë që i thashë vetes gjatë këtyre 2 muajve “s’po punojnë”, “po përtojnë” policia paskam qenë gabim.
Publikisht falenderoj ekipin e Sektorit Rajonal të Hetuesisë Ferizaj. E nderuat veten, mua dhe familjen e besa edhe qytetin tonë Ferizaj. E ju qytetarë paguani tatime, ta forcojmë së bashku këtë institucion të shenjtë. Zoti ju bekoftë kudo dhe kurdo!”
Asokohe Mozzik shkroi se se grabitësit i kishin marrë në kasafortë 100 mijë euro, 16 armë që i kishte me leje dhe disa sende me vlerë, kryesisht aksesorë floriri si dhe sistemin e kamerave. Ai tha se veç Policisë së Kosovës, ishte njoftuar edhe Administrata Tatimore dhe Ministria e Financave sepse ai është “tatimpaguesi më i madh nga gjithë artistët në trojet shqiptare”.