Marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë janë tensionuar sërish, për shkak të publikimit të një harte ku tregohen ishujt e Detit Egje dhe Kreta si pjesë e shtetit turk.
Devlet Bahçeli, një aleat i presidentit turk Erdogan, njëherësh edhe kreu i Partisë së djathtë të Veprimit Nacionalist (MIR), ka vizituar selinë e organizatës nacionaliste “Ujqërit gri” ku ka zhvilluar një takim me liderin e saj.
Në fund të takimit, lideri i “Ujqërve Gri” Ahmet Jigit Yildirim, njëherësh një nga liderët e partisë MIR, i ka dhuruar Bahçelit një hartë në kornizë ku tregohen ishujt e Detit Egje dhe Kreta si pjesë e Turqisë.
Ndërsa, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i bëri thirrje Turqisë që të shpjegojë hartën e publikuar në rrjetet sociale.
“Shikoni mirë këtë hartë. Kreta, Rodosi, Lesbosi, Kios, Samos. Të gjitha janë “gëlltitur” nga Turqia. Ky është vetëm një provokim tjetër apo qëllimi i vërtetë? Presidenti Erdogan duhet të sqarojë qëndrimin e tij për mashtrimet e fundit të aleatit të tij në qeveri”, shkroi Mitsotakis në anglisht.
Ndërsa të dy vendet janë aleatë të NATO-s, ata janë përfshirë prej kohësh në mosmarrëveshje mbi migrimin, kufijtë detarë dhe kërkimin e mineraleve në Mesdheun lindor.
Greqia dhe Turqia akuzojnë ushtrinë e njëra-tjetrës për shkelje të hapësirës ajrore.