Ballina Lajme Integrimi në BE/ Shqipëria nis në 16 janar takimet me Bashkimin Europian

Integrimi në BE/ Shqipëria nis në 16 janar takimet me Bashkimin Europian

1

Shqipëria ka hyrë në vitin 2023 me rankimin më të lartë për dëshirën që t’i bashkohet Europës politike. Edhe 33 vjet pas ndryshimeve politike të bëra në vend me parullën e studentëve ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’, 94 % e popullsisë vazhdon të mbështesë hyrjen në Bashkimin Europian. E ndërsa kjo, jo vetëm që nuk ndryshon në mbi 30 vite, nga ana tjetër nuk ka mjaftuar së bashku me kohën e gjatë për të realizuar ligjërisht këtë dëshirë.

Në këtë pikëpamje dhe referuar statusit aktual të lejimit formal për nisjen e bisedimeve, 2023 -shi përmban sfidën e vërtetë të integrimit që qëndron në letrat e bisedimeve të anëtarësimit. Do të jetë 16 janari data kur do të fillojnë takimet për këtë vit, e pikërisht ai dypalësh Shqipëri-BE për institucionet demokratike.

Me një axhendë të ngjeshur, nën kryesimin gjashtëmujor suedez të BE-së, takimet pritet të jenë të ngjeshura bashkë me faktin që në disa muaj do të duhet të propozohet dhe miratohet me gjasa çelja e kapitujve të parë të bisedimeve.

Autoritetet europiane kujtuan në Tiranë se zgjatja e bisedimeve deri në arritjen e anëtarësimit është individuale për secilin vend, por përvojat e fundit të përshpejtimit të procedurave si rrjedhojë e luftës në Ukrainë, treguan se hapësirat e vendimeve politike janë atje krahas shtrëngimeve teknike.

Nga gjithë përvoja e BE-së deri tani, bisedimet më të shpejta i ka realizuar Austria, Finlanda dhe Suedia, në pak më pak se dy vjet, ndërsa Kroacisë iu deshën pak më pak se tetë vjet nga fillimi i negociatave për t’u bërë anëtare e plotë e bllokut. 

/rtsh/