Ballina Lajme Inspekton punimet në Thumanë-Kashar, Balluku: Autostrada me shpejtësi 140 km/h, me pagesë

Inspekton punimet në Thumanë-Kashar, Balluku: Autostrada me shpejtësi 140 km/h, me pagesë

0

Kryeministri Edi Rama dhe zv/Kryeministrja Belinda Balluku kanë inspektuar këtë të premte punimet në aksin rrugor Thumanë – Kashar, pjesë e “Korridorit Blu”. Gjatë fjalës së saj, Balluku u shpreh se 40% e punës ka përfunduar.

Sipas saj, aksi do të jetë i shpejtësisë së lartë, 140 kilometra në orë dhe me pagesë, ndërsa rrugët paralele që do të jenë të kategorisë të superstradave do të jenë pa pagesë.

Ministrja tha se gjithë Korridori Blu shoqërohet nga rrugët paralele për t’i dhënë alternativë zgjedhjeje qytetarëve.

“Këtu jemi në gjurmën e Thumanë – Kasharit e pjesës koncensionare, pjesa e parë ku punohet për korridorin Blu dhe punimet kanë ecur shumë mirë. Siç e shikoni, kantieri është plotësisht i angazhuar dhe bëhet fjalë për 40 % të punimeve që tashmë janë të dorëzuara.

Gjurma e rrugës është rreth 21 km, ndërkohë që rrugët paralele që ndërtohen, pasi siç e kemi thënë që në fillim, ne ndërtojmë rrugë paralele për t’i dhënë mundësi qytetarëve që të zgjedhin autostradën e shpejtësisë ku shpejtësia arrin deri në 140 kilometra në orë, por që sigurisht është me pagesë ose rrugët paralele që do të jenë të kategorisë të superstradave që do të jenë pa pagesë. Pra, gjithë Korridori Blu shoqërohet nga rrugët paralele për t’i dhënë alternativë zgjedhjeje qytetarëve.

Rruga paralele është 16 km. Këtu kemi një autostradë, e cila përmbush të gjitha kushtet dhe parametrat që tashmë ne i ndërtojmë këto autostrada, është 2 x 2 korsi plus 2 korsitë e emergjencës. Korsitë normale janë 3.75 metra secila. Vetëm ky projekt, pra projekti i Thumanë – Kasharit do të ketë 11 ura, 12 nënkalime dhe sigurisht ka edhe 2 pjesë të lidhjes së nënkalimeve me disnivel. Procesi më i rëndësishëm për ne është lidhja e Rinasit, e cila do të bashkërendohet me bypass-in e Tiranës”, tha zv/kryeministrja Balluku, teksa shtoi se po punohet që brenda 12 muajsh të jetë e përfunduar si rrugë.