Në Shqipëri qeveria ka nxjerë për konsultim publik me grupet e interesit projektligjin “Për përcaktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”
Ky projektligj, synon miratimin e kuadrit rregullator në lidhje me përcaktimet dhe kompetencat në fushën e pagave, të trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike.
Inicimi i hartimit të këtij projektligji erdhi si pasojë e vlerësimeve të bëra gjatë periudhës së zbatimit të tij, nga Departamenti i Administratës Publike dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ku janë evidentuar disa problematika.
Projektligji përfshin për herë të parë parimet mbi bazën e të cilave duhet të përcaktohen pagat, trajtimet e tjera financiare dhe përfitimet, gjë që mungon në ligjin aktualisht në fuqi.
Në projektligj janë shtuar kompetenca të reja, për të cilat kishte boshllëk ligjor. Nëpërmjet tyre përcaktohen që të punësurit në administratën publike përveç pagës dhe shpërblimeve, do të kenë të drejtë edhe për trajtime të tjera financiare dhe përfitimeve të tjera.
Indeksimi i pages jo me vone se dy vite nga indeksimi i fundit
Bie në sy se në projektligj është shtuar kompetenca e Këshillit të Ministrave për të miratuar indeksimin e pagave, sipas indeksit të çmimeve të përllogaritur nga INSTAT, gjë që mungonte në ligjin aktualisht në fuqi.
“Masën e indeksimit të pagave të të punësuarve të institucioneve të administratës publike, jo më vonë se dy vite nga indeksimi i fundit, në bazë të ndryshimit të indeksit të çmimeve të konsumit të vitit apo viteve paraardhëse të përllogaritur nga INSTAT, si dhe rregullat për zbatimin e tij. Sqarojmë se kjo është një kompetencë e re e cila nuk ka qenë e përfshirë në ligjin aktualisht në fuqi,” thuhet në relacionin shoqërues
Caktohet paga minimale mujore
Kompetencë e Këshillit të Ministrave është dhe caktimi i pagës minimale mujore në shkallë vendi, e cila është e detyrueshme të zbatohet nga çdo punëdhënës në Republikën e Shqipërisë.
Paga mininale do të bëhet me propozim të ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit në bashkërendim me departamentin e Administratës Publike dhe ministrinë përgjegjëse për financat.
” Në krahasim me ligjin aktual është hequr emërtimi i saktë i ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale dhe është përdorur shprehja e përgjithshme “ministri përgjegjës për punësimin”, për shkak se kompozimi i Këshillit të Minstrave (si organ kolegjial) ndryshon varësisht vizionit politik të forcës politike.” thuhet në relacionin shoqërues.
Pagesa konkurruese për punonjësit në fusha prioritare
Projektligji i jep zgjidhje nevojës për të siguruar pagesa konkurruese me tregun privat për disa kategori në fusha apo nënfusha prioritare të zhvillimit të vendit.
Me draftin e ri këshilli i Ministrave merr dhe një kompetencë që nuk e ka pasur mëparë. Punonjësit e administratës shtetërore në fusha apo nënfusha që do të përcaktohen nga qeveria si prioritare të zhvillimit të vendit do të marrin pagë shtesë mbi pagën bruto mujore. Kjo masë nuk tejkalon vlerën e pagës mesatare mujore të sektorit respektiv në vendet e Bashkimit Evropain, por në çdo rast nuk mund të tejkalojë pagën mesatare mujore më të lartë të një prej vendeve të BE-së, referuar të dhënave të Eurostat (aktualisht, sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2021 ajo është 6021 euro).”
Nëpërmjet këtij parashikimi të punësuarve të administratës publike në fusha apo nënfusha prioritare që do të përcaktohen rast pas rasti me vendim të Këshillit të Ministrave, u njihet e drejta që përveç pagës mujore të përfitojnë edhe një shtesë të kushtëzuar (psh. në kohë dhe sipas funksioneve).
“ Kjo iniciativë, besojmë se do të krijonte kushtet e nevojshme që institucionet e administratës publike të mund të mbajnë apo të tërheqin disa kategori të punësuarish “Hightech dhe Highskilled”, duke konkurruar denjësisht me tregun privat” thuhet në relacion.
Shperblime për administratën
Hartuesit e projekligjit vlerësojnë se drafti krijon një kuadër rregullator të konsoliduar për kompetencat e caktimit të pagave, të trajtimeve të tjera financiare dhe të përfitimeve të tjera të të punësuarve në administratën publike.
Sipas tyre të punësuarve të administratës publike u njihet e drejta edhe për trajtime të tjera financiare dhe përfitime, përveç pagës dhe shpërblimit për rezultate në punë.
Gjithashtu përcaktohen dhe rregullat, kriteret dhe masa për trajtime të tjera financiare dhe përfitime, si dhe rregullat për pagesën shtesë për punën e kryer mbi kohën normale të punës, në ditët e festave zyrtare e të pushimit javor dhe për raste të tjera, të parashikuara në Kodin e Punës dhe në ligje të tjera të veçanta, me përjashtim të të punësuarve për të cilët kjo kompetencë i është dhënë një institucioni/organi tjetër, sipas përcaktimit në këtë ligj apo në ligje të tjera.
Pas konsultimit publik me grupet e interesit ndryshimet priten të reflektohen në projektligjin i cili më pas do ti paraqitet parlamentit për miratim.