Indeksi i Qeverisjes, i publikuar nga Instituti Berggruen në SHBA (BGI), ka nxjerrë në pah faktin se në harkun kohor të thuajse 2 dekadave, nga viti 2000- 2019, Shqipëria ka bërë progres si në cilësinë e qeverisjes ashtu edhe të cilësisë së jetës.
Cilësia e qeverisjes ka një rritje të lehtë me 0.23%, ndërsa më të lartë e ka cilësia e jetesës me një rritje në nivelin 9.8%.
BGI, në publikimet e veta, analizon marrëdhëniet ndërmjet llogaridhënies demokratike, kapacitetit shtetëror dhe cilësisë së jetës. Ekipi hulumtues i BGI e përshkruan këtë fenomen si Trekëndëshi i Qeverisjes.
Trekëndëshi i Qeverisjes, sipas BGI, ndihmon për të kuptuar pse disa vende menaxhohen më mirë dhe gëzojnë cilësi më të lartë jetese se vendet e tjera. Tendencat e zbuluara në indeks përgjithësisht tregojnë se një cilësi të lartë të demokracisë dhe një kapacitet të fortë shtetëror që së bashku çojnë në një cilësi më të lartë jetese.
Cilësia e Demokracisë
Cilësia e Demokracisë referohet llogaridhënies: kontrollet dhe balancat ndërmjet institucioneve; aftësia e qytetarëve për të kërkuar llogari nga shteti përmes zgjedhjeve; dhe llogaridhënien shoqërore, që do të thotë shkallën në të cilën organizatat e shoqërisë civile dhe organet e medias kanë kapacitetin për të kufizuar përdorimin e pushtetit politik.
Cilësia e qeverisjes
Ndërsa cilësia e qeverisjes i referohet kapacitetit shtetëror, aftësisë së institucioneve shtetërore për të arritur tre qëllime kryesore: gjenerimin e të ardhurave (kapaciteti fiskal), organizimin e veprimit kolektiv (kapaciteti koordinues), si dhe ofrimin e politikave (kapaciteti i ofrimit) .
Cilësia e jetës
Cilësia e jetës është një masë e të mirave publike, mallrave dhe shërbimeve nga të cilat qytetarët e një shteti nuk mund të përjashtohen dhe për të cilat qytetarët nuk duhet të konkurrojnë me qytetarët e tjerë. Ne të përfshihen kujdesi bazë mjekësor ose arsimi, për të cilat ka përjashtim të pjesshëm dhe konkurrencë. Këtu dallohen tre lloje të të mirave publike: të mira publike sociale, të mira publike ekonomike, si dhe të mira publike mjedisore.
“Tradicionalisht, supozohet se transparenca, llogaridhënia dhe sundimi i ligjit janë aspektet më të rëndësishme të qeverisjes së mirë. Por, pa një kapacitet të fortë shtetëror, demokracia nuk mjafton për të krijuar kushtet e nevojshme për mirëqenie.”- thuhet në raport.
Duke parë Shqipërinë mes viteve 2000 dhe 2019, BGI konstaton se ka një rritje të lehtë me 0.23% në cilësinë e qeverisjes, si dhe një rritje të theksuar me 9.8% të cilësisë së jetesës.
/rtsh.al/