Ballina Lajme I zoti i shtëpisë e masakroi pasi e kapi duke vjedhur dy...

I zoti i shtëpisë e masakroi pasi e kapi duke vjedhur dy pula, hajduti nga Kuçova ndërron jetë në spital

2

Ka ndërruar jetë 52-vjeçari Lefter Brisku i njohur edhe me emrin Krenar Brisku, që u masakrua pasi u kap brenda një banese në lagjen “11 janari” në Kuçovë duke vjedhur pula.

Ai u dhunua nga një 20-vjeçar që gjendej në banesë në momentin e vjedhjes. Lajmin e bëjnë të ditur burime për BalkanWeb, sipas të cilave ai nuk ka mundur dot ti mbijetojë plagëve të marra dhe mesditën e sotme ka vdekur në ambientet e Spitalit të Traumës në Tiranë.

Ai u dërgua menjëherë pas ngjarjes në gjendje kome, për shkak të goditjeve të shumta që kishte marrë në kokë.

Lefter Brisku qëndroi 7-ditë në Spitalin e Traumës, ku sipas familjarëve mësohet se nuk ka reaguar asnjë moment.

Ndërkohë familja Brisku në lagjen “11 Janari” në Kuçovë ka hapur pasditen e sotme dyert e mortit, në pritje të trupit të viktimës, ndërkohë që në banesën 2- katëshe të 20-vjeçarit Bjorsi Shushari (tashmë i shoqëruar nga policia pasi po procedohej fillimisht pas ngjarjes në gjendje të lirë), gjithçka është e mbyllur.

Familjarët e viktimës kërkojnë drejtësi për 52-vjeçarin, që sipas tyre u masakrua në mënyrë barbare nga i riu për dy pula.

Vëllai i viktimës, Shyqo Brisku i bën apel shtetit të vërë para drejtësisë 20-vjeçarin që masakroi për vdekje vëllain e tij, duke shtuar se kishte edhe mënyra të tjera për ta neutralizuar dhe për të lajmëruar policinë.

“Nëse vëllai kishte shkuar për të vjedhur ata duhet të njoftonin policinë kur e panë në oborr dhe jo ta masakronin për vdekje. Vëllai im ka dalë atë natë nga shtëpia i dehur dhe në atë gjendje që ndodhej ishte shumë e thjeshtë që një 20-vjeçar ta neutralizonte e të thërriste policinë por jo ta masakronte për vdekje.

Lajmin e morëm vesh nga mediat sepse policia nuk na njoftoi, as në Spitalin Ushtarak se pamë dot derisa vdiq, vetëm nusja mundi të hyjë brenda, por vëllai nuk reagoi asnjëherë. Ne kërkojmë drejtësi për vëllain tonë, që la jetim djalin e vetëm 16-vjeç”, ka thënë Shyqo Brisku.

“Viktima dhe agresori jetonin në të njëjtën lagje në qytetit e Kuçovës por edhe pse shtëpitë e tyre ishin mjaft larg nga njëra-tjetra banorët e lagjen i njihnin mirë të dyja familjet.

Ndërkohë që nuk mund të dëshmojnë dot rreth të vërtetës së ngjarjes së 26 Shkurtit, banorët e lagjes “11 Janari” në Kuçovë pohojnë se 52-vjeçari ishte pijedashës por ishte familjar i rregullt dhe punëtor, ndërkohë që 20-vjeçari ishte student në Tiranë”, ka thënë vëllai i viktimës.