Familjen e 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmanit, nuk po e lënë rehat as pas vrasjes së saj.
Nëna e të ndjerës një ditë më parë u kanos në rrjete sociale nga dikush që u paraqit si i akuzuari për vrasjen e vajzës së saj, Dardan Krivaqa.
Profili me emrin e ish-dhëndrit, raportohet se e kërcënoi 43-vjeçaren me vajzën tjetër, motrën e Marigonës.
Përveç nënës, i njëjti profil tentoi të kontaktojë edhe me vetë motrat Osmani, por ato e bllokuan në rrjete sociale të dyshuarin.
Nga familja Osmani e kanë konfirmuar rastin e ndodhur, por nuk kanë pranuar të flasin me arsyetimin se po frikësohen se kërcënimet e tilla mund të shtohen.
Për rastin ka folur avokati i familjes, Gazmend Rexhepi. Ai tregoi se për këto mesazhe e ka informuar nëna e Marigonës.
“Dje jam njoftuar nga Valdete Osmani, nëna e të ndjerës Marigonës për disa sms, mesazhe përmes një rrjeti social, që janë edhe ofendues edhe kërcënues dhe unë e kam sugjeruar me raportu rastin në polici”, ka thënë Rexhepi për Klanin.