Ballina Lajme I shpallur në kërkim nga drejtësia italiane për trafik droge, arrestohet 22-vjeçari...

I shpallur në kërkim nga drejtësia italiane për trafik droge, arrestohet 22-vjeçari në Mirditë

5

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Hidden”, i zhvilluar nga Fast Albania, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve DVP Lezhë dhe në koordinim me Interpol Tirana, ka rënë në pranga një 22-vjeçar, pasi ishte në kërkim nga autoritetet italiane.

Burime zyrtare nga policia, bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi me inicialet G. J.

 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Hidden”, i zhvilluar nga Fast Albania, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve DVP Lezhë dhe në koordinim me Interpol Tirana. Kapet dhe vihet në pranga një 22-vjeçar i kërkuar nga drejtësia italiane, i cili fshihej në Mirditë. 22-vjeçari i akuzuar si pjesëtar i një grupi kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, bazuar në inteligjencën policore se këta shtetas fshihen duke u strehuar në territorin e qarkut Lezhë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë si dhe në bashkëpunim e koordinim të punës me njësinë speciale për kapjen e shtetasve në kërkim “FAST Albania”, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Hidden”

Si rezultat, në një banesë në Rrëshen, kanë kapur dhe arrestuar në mënyrë provizore me qëllim ekstradimi, shtetasin G. J. 22-vjeç, banues në Mirditë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi, Gjykata e hetimeve paraprake në Milano, Itali, me vendim penal të datës 03.11.2023, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, i akuzuar për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike’ kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet e Kodit Penal Italian. Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.