Starton në mbrëmjen e sotme Festivali Ndërkombëtar i Aktrimit “Apolon”, një event shumë i rëndësishëm artistik për qytetin e Fierit. Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Apolon” u zhvillua në qytetin e Fierit, nga viti 2002 deri më 2013 dhe për mungesë fondesh ai pushoi së mbajturi në qytetin e Fierit. Festivali ka pasur karakter konkurrues, me fokus tek aktrimi.
Çmimet jepeshin për aktorin dhe aktoren më të mirë, aktorin dhe aktoren më të mirë joprotagonist, si edhe aktorin ose aktoren më të mirë debutues dhe shfaqjet jepeshin në Teatrin “Bylis” të Fierit. Pas shumë vitesh ky festival do të marrë frymë sërish duke sjellë në skenën e teatri “Bylis”, tashmë me një infrastrukturë moderne, kryesisht trupa nga Shqipëria, nga Kosova, Kroacia . Sipas drejtorit të këtij festivali Klajdi Marku “Janë trupa shumë të mira, të cilat qysh nga viti i kaluar kanë patur një kontratë me bashkinë e Fierit për këtë festival”. Drejtori i festivalit Klajdi Marku shprehet i kënaqur që ky festival i rikthehet sërish qytetit të Fierit pasi është i vetmi festival i aktrimit vetëm për aktorin dhe për llojin e vetë i vetmi ndoshta dhe në Ballkan. Në këtë festival janë të parashikuara shtatë shfaqje nga vende të ndryshme.
Gjatë festivalit do të organizohen tryeza diskutimi, por edhe një workshop që do të sjellë elemente interesante. Duke filluar nga mbrëmja e sotme festivali do të vazhdojë deri më datën 28 prill. Me traditën e krijuar ‘‘Apolon’’ ishte shndërruar në festival ndërkombëtar duke thyer kufijtë e trevave shqipfolëse.