Ballina Lajme I akuzuar për trafik drogë në Itali, reagon Balla: Efektivi është përjashtuar...

I akuzuar për trafik drogë në Itali, reagon Balla: Efektivi është përjashtuar nga policia

4

Është vënë në pranga një efektiv policie në shtetin grek. Amarildo Kureta, 32-vjeç punonte prej disa vitesh në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, ku ishte pjesë e efektivëve të Forcave Operacionale në këtë drejtori.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka bërë me dije se ky i fundi është përjashtuar nga radhët e policisë, dhe se prej datës 2 gusht nuk ishte më në detyrë.

Mësohet se Kureta kishte marrë lejen vjetore dhe ishte nisur për pushime, por sapo ka hyrë në doganën greke ai është prangosur. Burimet zyrtare të DVP Berat konfirmojnë se nuk kanë pasur asnjë njoftim nga Interpoli se efektivi i tyre ishte person “i shpallur në kërkim” për trafik droge.

Kureta ishte shpallur në kërkim nga shteti italian, ku akuzohet për trafik droge, pas hetimeve disa vjeçare dhe kriptimeve të bisedave telefonike mes efektivit dhe një rrjeti të strukturuar krimi në fushën e narkotikëve.