Teksa sot (1 shkurt) hyn në fuqi harta e re gjyqësore, kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësore, Naureda Llagami ka sqaruar qytetarët në lidhje me ndryshimet që do të ketë në marrjen e shërbimit gjyqësor.
Në një komunikim për mediat, Llagami bëri me dije se do të vijojë shqyrtimi i çështjeve të ngelura ‘stok’ në gjykatat e mëparshme të Apelit në rrethe, të cilat tashmë do të rishqyrtohen në Gjykatën e Përgjithshme të Apelit.
Sipas Llagamit, janë në total 27 mijë çështje që tashmë i kanë kaluar Gjykatës së Apelit Tiranë në pritje të rishqyrtimit nga trupa gjyqësore. Po ashtu, Llagami shtoi se qytetarët do të marrin shërbim cilësor teksa theksoi se nuk do të ketë më dështime të seancave, sikurse ndodhte më parë, për shkak të mungesës së trupës gjyqësore.
“Gjykata e Apelit të Përgjithshëm e cila do lejojë mundësinë e krijimit të dy seksioneve në këtë gjykatë, seksioni civil dhe seksioni penal. Padiskutim qytetari nuk do të ketë më dështime të seancave siç ndodhte më parë për shkak të mungesave dhe mosplotësimit të trupës gjyqësore. Meraku tjetër që kemi për qytetarin, është që a do e marrë shërbimin më kualitativ? Sa më të specializuar të jenë gjyqtarët aë më cilësor do jetë shërbimi.
Duke gjykuar dhe civile dhe penale kjo është vështirësi. Sot që fillojnë gjykimet në Gjykatën e Përgjithshme të Apelit nuk do dështojë asnjë seancë. Sot qytetari do shërbehet më mirë, sepse në ditën që do lejë seancën do marrë shërbim. Gjykatën mund ta kishim te dera e shtëpisë, por nuk merrnim shërbim. Kjo është situata që kemi dhe prandaj merren këto masa. Çdo çështje që ka filluar gjykimin në gjykata e dikurshme të Apelit do vazhdojë gjykimi. 1868 çështje që vazhdojnë. 27 mijë çështje i janë bashkuar Tiranës, janë gati për tu rishqyrtuar në trupën gjyqësore”, tha Llagami.
Harta e re gjyqësore do të funksionojë me 16 gjykata në total, 12 të Shkallës së Parë, 1 Gjykatë Apeli dhe 2 gjykata Administrative. KLGJ shkriu 18 gjykata, duke reduktuar gjykatat e Apelit në një të vetme në Tiranë, duke hequr pesë gjykatat Administrative që do jenë në vetëm dy, një në kryeqytet dhe një në qytetin e Lushnjes dhe duke lënë vetëm 12 gjykata të Shkallës së Parë nga 22 që ishin.
/rtsh.al/