Ballina Lajme “Hyjmë në fushatë me primare”/ Berisha : Do të sjellin një frymë...

“Hyjmë në fushatë me primare”/ Berisha : Do të sjellin një frymë të re në demokracinë shqiptare

2

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka folur përpara gazetarëve nga qyteti i Gjirokastrës. Kryedemokrati u shpreh se PD ka hyrë në fushatë me platformën e primareve. Sipas tij, kjo do të sjellë një frymë të re në demokracinë shqiptare. Gjatë konferencës Berisha u ka kërkuar qytetarëve që të kandidojnë në primare për t’u zgjedhur si kandidatë për kryetar bashkie në zgjedhjet vendore të vitit 2023. Ai tha se mund të merrnin pjesë në kandidim edhe persona që nuk ishin anëtarë të Partisë Demokratike.

Fjala e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha:

Në këtë qytet, si qëllim më madhor, kam patur dhe kam takimin dhe bashkëbisedimin me qytetarët e Gjirokastrës. Unë dëshiroj sikundër qytetarët e tjerë, të kenë një zë në mediat tuaja, të shprehin lirshëm mendimet e tyre mbasi sot i përjashtuari më i madh në këtë vend është qytetari shqiptar. Ju jeni dëshmitarë se për establishmentin, fjala qytetar po zhduket nga fjalori. Fjala fermer nuk ekziston në fjalor, fjala i ri apo student nuk ekziston.

Ka qenë dhe do mbetet qëllimi im të bëj gjithçka që qytetarët të kenë zërin e tyre. Në këtë tur vij gjithashtu për të informuar qytetarët për ndryshimin që sjell PD-ja. Kur nisëm këtë rrugë, premtimi ynë ishte ndryshimi dhe si një kusht themelor që forca jonë politike të vijë në pushtet pasi kishte humbur disa beteja dhe ishte bërë e paaftë të fitonte. Nëse kjo forcë politike nuk realizonte ndryshimet e mëdha dhe rrënjësore, në kuadër të këtyre ndryshimeve ne hymë në këtë fushatë elektroale me një platformë më demokratike se kurrë, hymë me platformën e primareve ku do votojnë jo vetëm anëtarët por edhe simpatizantët e PD-së.

Me këtë platformë i japim një frymë të re demokracisë në Shqipëri. Nuk heqim dorë kurrë nga ideja se vota është themeli i begatisë së një vendi. Shrytëzoj rastin t’u bëj thirrje qytetarëve të Gjirokastrës dhe qendrave të vendit të konsiderojnë në mënyrë më serioze kandidimin në primare që po zhvillon PD dhe Aleatët pavarësisht nëse janë anëtarë të kësaj partie. I garantoj se do bëhet gjithçka për një garë transparente.