Ballina Lajme Historike! Talat Xhaferi kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut! Mblidhet...

Historike! Talat Xhaferi kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut! Mblidhet sot Kuvendi për votimin e qeverisë së re

4

Për herë të parë, në Maqedoninë e Veriut, qeverinë do ta drejtojë një shqiptar. Talat Xhaferi deri para pak ditësh kryetar i Parlamentit, do të marrë detyrën për të drejtuar qeverinë teknike. Talat Xhaferi ka dorëzuar në Kuvend përbërjen dhe programin e qeverisë teknike, e cila do të ketë për detyrë të organizojë edhe zgjedhjet e dyfishta, ato parlamentare dhe presidenciale që do të mbahen më 8 maj.

Seanca e sotme, 28 janar, për votimin e kryeministrit të parë shqiptar dhe qeverisë së tij pritet të nisë rreth orës 11:00. Parlamenti do të debatojë lidhur me programin dhe kabinetin e Talat Xhaferit, ndërsa deri në mesnatën e së dielës pritet të votohet dhe miratohet qeveria teknike.

 

Ditën e djeshme, 26 janar, Presidenti Stevo Pendarovski, i dorëzoi mandatin Talat Xhaferit për përbërjen e re të Qeverisë teknike. Pjesë e Qeverisë teknike do të jetë edhe opozita maqedonase, bazuar në Ligjin për zgjedhje, me qëllim organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Në një fjalim drejtuar kombit, kryetari i Bashkimit Demokrat për Integrim, Ali Ahmeti, e quajti një ditë historike për shqiptarët.

“Kjo ditë është historike se po bëhemi shtet me shoqëri të barabartë. Do të marrim përgjegjësinë për t’i prirë”, tha Ahmeti.

Kjo do të jetë qeveria e tretë teknike pas marrëveshjes së vitit 2015 që synonte të pengojë manipulet në zgjedhje, duke emëruar përfaqësues të opozitës në kabinetin qeveritar.

Opozita maqedonase që kryesohet nga VMRO DPMNE-ja, ka thënë se nuk do të votojë për zgjedhjen e Talat Xhaferit, pasi e akuzon për “shkelje të shumta ligjore” gjatë punës si kryetar i Kuvendit. Lideri i kësaj partie, Hritijan Mickoski përsëriti qëndrimin se partia e tij është e prerë për këtë vendim.

Por, mosvotimi i deputetëve të opozitës nuk e pengon formimin e qeverisë së re, meqë shumica parlamentare ka numrin e nevojshëm prej 61 votash për miratimin e qeverisë së re