Kjo histori është një trishtim më vete, nga ato që na bëjnë të mendojmë se vetëm njerëzit e ndershëm e punëtorë goditen nga fati i keq në këtë vend të quajtur Shqipëri. Vetëm pak ditë më parë një çmenduri e vërtetë dhe e padëgjuar askund në botën e qytetëruar, ndodhi në Jalë, ku një çift të fejuarish, 31-vjeçari Agustin Sefa dhe 25-vjeçarja Era Gj, u goditën nga një gomone gjatë kohës që po qëndronin në çadrën e tyre në punë të vet.
E fejuara pati vetëm disa gërvishtje të lehta por për fat të keq Agustini mori goditje të rënda dhe është në gjendje jo të mirë shëndetësore. Raportohet se sot ai i është nënshtruar një operacioni të dytë në spital pasi gomonia i ka dëmtuar organet e brendshme, por përsëri gjendja e tij nuk është e mirë. Mësohet se Agustini është një punëtor i thjeshtë dhe vjen nga një familje me vështirësi ekonomike.
Ai punonte për hapjen e puseve së bashku me dajën e tij. Por ajo që është akoma më e dhimbshme është fakti se kishte marrë vetëm 3 ditë leje nga puna për të shkuar për pushime me të fejuarën e tij në Jalë. Madje një i njohur i tij i kishte paguar edhe dhomën dhe çadrën. Por për fat të keq një çmenduri nga ato që ndodhin vetëm në Shqipëri ia preu në mes këto pak ditë pushimesh të merituara.