
Historia e jashtëzakonshme e ish agronomit nga Topoja e Fierit. La profesionin e agronomit dhe bën mrekulli me kallamat e kanaleve. “Pushton” Evropën me kallamat e Myzeqesë. 13 vite më parë ai braktisi profesionin e tij si agronom dhe do t’i përkushtohej tërësisht përpunimit të kallamave dhe zhukave natyrore, duke ngritur një punishte kallamash.

Gati e pabesueshme, që me vegjetacionin masiv të kanaleve të Myzeqesë, në veçanti të Fierit, ai të ngrinte një sipërmarrje familjare ziliqare, duke mos përdorur pothuajse asgjë mekanike, por vetëm natyrën, punën e dorës dhe mençurinë e mendjes. Arjan Bregaj nga Topoja e Fierit, dikur agronom i zonës, sot pushton tregjet më të mëdha të Evropës me kallamin e përpunuar dhe zhukën e zonës bregdetare të Fierit. Gjithçka ia mer natyrës: kallamin që mbush kanalet, ndërsa zhukën ose xunkthin e gjen në zonën e kripur të bregdetit të Fierit. Me kallamat thur rese, aq shumë të kërkuara për turizmin në vendet evropiane. Ndërsa zhukës nuk i kryen asnjë proces pune, me perjashtim të tharjes. E që nga punishtja e tij, ajo përfundon në tregjet e Italisë për t’u përdorur si grila natyrore.

Kushdo që nuk ia di vlerën, këtij lloji vegjetacioni natyror të kanaleve dhe lumenjve, ose nuk do t’i hidhte sytë, ose do do ta priste e digjte, por Arjani e kthen në begati për familjen, por edhe për banorët e zonave perreth, një pjesë të të cilëve e ka punësuar. Shumicën e tyre e ka vënë në punë për prerjen e kallamave në të gjitha kanalet e zonës. Me përpunimin e kallamave ka ngritur një cikël të mbyllur: asgjë nuk hidhet nga mbetjet, por përdoret. Profesioni si agronom e ka ndihmuar t’i gjej zgjidhjen edhe mbeturinave nga pastrimi i kallamave: i djeg dhe me hirin e tyre krijon një pleh organik aq i dobishëm për serat. Me një dobi të trefishtë, në 13 vite, Arjani Bregaj, ish agronomi i zonës, ka arritur që kallamat natyrore t’i shndërrojë në produkt aq shumë të kërkuar për turizmin, të bëjë pastrimin e të gjithë kanaleve kulluese të zonës dhe Fierit nga vegjetacioni, por të vërë në punë fshatarët e zonës së tij. Mbi 200 familje janë të punësuar në përpunimin e kallamit gjatë gjithë vitit.