Hidhet në erë një automjet në Shkozet. Mjeti dyshohet se i përket shtetasit Aldi Mustafa.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në orën 13:56 në Shkozet dhe nga pamjet duket se makina e zezë ka pësuar dëmtime të mëdha. Nuk dihet ende nëse në makinë ka qenë vetë Aldi Mustafa apo makinën e kishte në përdorim dikush tjetër. Policia nuk ka informacion zyrtar ende.
Aldi Mustafa, 37 vjeç, banues në Durrës, nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai rezulton i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, me 10 vite burg, në Gjermani.
Mësohet se Mustafa më herët ka qenë anëtar i një bande të njohur në Durrës, ndërsa ka pasur lidhje me ‘Rrumin’, një personazh i njohur dhe i përfolur në ngjarje kriminale, siç ishte dhe atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj.
Mustafa u arrestua më 30 gusht 2021 në kuadër të operacionit të koduar ‘Misioni’, bashkë me dy të tjerë, Uran Zykën, 40 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Kanosja”, si dhe Tahir Gjinikën, 33 vjeç, banues në Durrës.
Tre të ndaluarit dyshohet se do kryenin një vrasje, kundrejt pagesës.