Ballina Lajme Henrik Hoxhaj dëshmon para GJKKO: Dumani premtoi 60 mijë euro për vrasjen...

Henrik Hoxhaj dëshmon para GJKKO: Dumani premtoi 60 mijë euro për vrasjen e Dorian Shkozës

0

Henrik Hoxhaj, dikur mik i ngushtë i Nuredin Dumanit, i ka qëndruar dëshmisë që ka dhënë më parë për katër vrasjet, atë të dy vëllezërve Viktor e Besmir Haxhia, Anxhelo Avdisë dhe Dorian Shkozës. Këtë të martë i penduari i drejtësisë u shoqërua para togave të zeza të gjykatës së posaçme ku për një orë e 30 minuta ju tregoi atyre për krimet që ka kryer në bashkëpunim me shokun e tij Nuredin Dumanin.  Kujtojmë se Hoxhaj u arrestua në Fier bashkë me Dumanin, teksa bënte roje poshtë pallatit ku ai qëndronte i plagosur. Në seancë ai tha se Dumani i kishte premtuar 60 mijë euro për të vrarë Dorian Shkozën, ndërsa shtoi se kishte marrë vetëm 35 mijë pasi pjesën tjetër e kishte marrë Elio Bitri.

Me Nuredin Dumanin jam njohur në ditëlindjen e Festim Çolit, rreth 6 muaj para vrasjes së Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt. Dumani premtoi 60 mijë euro, nga të cilat më ka dhënë 35 mijë, sepse pjesën tjetër i mori Elio Bitri. Ky i fundit ka qenë në timon, unë te sedilja e pasme e pasagjerit. Kam patur 2 pistoleta 9 mm, ndërsa Bitri një pistoletë me mulli. Objektivi sipas Dumanit ishte Dorian Shkoza, madje ky i ka dalë para Avdia për ta mbrojtur kur kemi qëlluar. Dumani s’ishte me ne por vinte rrotull. Kam qëlluar me të dyja armët, edhe Bitri qëlloi njëherë me armën e tij, por nuk e di nëse ka kapur plumbi ndonjërin nga viktimat. Me Dumanin, pasi më dha pagesën, jam takuar dhe për planin e vrasjes së Besmir Haxhias”, ka thënë Henrik Hoxhaj.  Këtu ai dëshmoi edhe për vrasjen e dy vëllezërve.

“Objektiv ishte Besmiri, kur u afruam i pamë të dy, dhe Nuredini me Klevis Allën, i thanë njëri-tjetrit, qenka me vëllain. Viktori ishte rastësi. Mbaja veshur një jelek dhe kapele të OFL-së. Nuredini më tha se i kishte gjetur në Elbasan. Kisha dy armë automatike në makinë. Shoferi ynë u fut në parakalim kur i pamë vëllezërit, dhe nisa të qëlloj. Nuredinit s’po i shkrepte arma. Kam goditur me xhama mbyllur. Nuredinin se kam parë ç’ka bërë se nuk e kisha mendjen. Kam qëlluar edhe nga xhami i pasëm, shoferin e mjetit, Besmirin. Kam zbritur dhe mora armën tjetër se më mbaruan plumbat dhe qëllova sërish për tu siguruar. Me Klevis Allën që ishte shoferi ynë nuk kam folur asnjë fjalë. Madje teksa më shikonte në fytyrë një moment i kam thënë “ç’ke që sheh, kthehu para”. Kapelet dhe jelekun i hodhëm rrugës dytësore në Vorë kur po ktheheshim në Tiranë me Nuredinin,” deklaroi ai.

Sapo përfundoi dëshminë Henrik Hoxhaj, në Gjykatën e Posaçme u fut Nuredin Dumani. Gjykata mbylli dyert me kërkesë të prokurores Doloreza Musabelliu, për shkak se sipas saj, pyetjet dhe thëniet e Dumanit përbëjnë sekret hetimor.

Gjithsesi deklarimet e Nuredin Dumanit u shtynë për shkak se Avokatët e Enver Divës dhe Besian Xhixhës, kërkuan të njihen me deklarimet e Henrik Hoxhajt. Katër vrasjet në fjalë, sipas prokurorisë, janë kryer nga grupi I Talo Çelës, ku bënin pjesë Nuredin Dumani, Klevis Alla, Altin Ndoci, Besian Xhixha dhe Enver Diva.

/RTSH/