Ishte ende gjimnaziste atëherë kur botoi në gazetën “Zëri i Rinisë” tregimin, i cili do të ishte fill i padukshëm i fatit me të cilin do të lidhej jeta e saj dhe Ismail Kadaresë, një prej yjeve të rinj të letërsisë shqipe. Nuk e kishte menduar kurrë që një përgjigje e tij do të ndryshonte gjithçka, por ndonjëherë të papriturat e vogla janë ato që u japin jetë gjërave të mëdha. Shumë shpejt Helena Kadare la pas “rolin” e lexueses dhe veshi mantelin e personazhit të historisë së saj të dashurisë, e cila vazhdon t’i dhurojë të njëjtat emocione edhe pas kaq shumë vitesh.
Shkrimtarja e njohur feston sot 80-vjetorin e lindjes. Një jetë e mbushur me dashuri idilike përkrah njeriut që i dha gjithçka, frymëzim për të shkruar dhe për të jetuar. Në këtë ditë të shënuar, me siguri urimet kanë qenë të panumërta, por neve veçuam këtë dedikim të Ismail Kadaresë.
Pyetjes se “Çfarë është Helena për ju?”, shkrimtari i madh i përgjigjet: “Është gruaja më e afërt e imja në këtë botë. Kështu ka qenë që në fillim të njohjes sonë, e deri tani në mbarim, në këtë pjesë të fundit të jetës. Njeriu më i afërt, që më ka dhënë gjithë gëzimet e kësaj bote, ndaj së cilës ndihem i detyruar për gjithçka.”