Është hapur për qarkullimin e automjeteve rruga e re drejt aeroportit “Nënë Tereza”. Lajmin e ka bërë me dije zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, e cila inspektoi përfundimin e punimeve, ndërsa theksoi se nëpërmjet kësaj rruge do të bëhet i mundur lehtësimi i trafikut, duke krijuar një unazë qarkulluese në aeroportin e Rinasit.
“Rruga e re krijon një unazë qarkulluese në aeroportin e Rinasit, duke shfryrë kështu trafikun dhe problematikën që kemi patur sidomos gjatë sezonit veror”, tha Balluku.
Ndalur te aeroporti “Nënë Tereza, zëvendëskryeministrja u shpreh se janë kryer 26 fluturime në 10 muajt e parë të vitit 2022 dhe se deri në fund të vitit, parashikohet që numri i fluturimeve të kalojë shifrën 38 mijë.
“Aeroporti i Rinasit, pas ndryshimit të koncensionarit dhe duke patur një plan të ri biznesi, ka pësuar një ndryshim të madh. Kemi mbi 26 mijë fluturime për 10 muajt e parë të 2022 dhe parashikohet që deri në fund të vitit të kemi 38 mijë fluturime dhe ca më shumë. Numri i pasagjerëve ka arritur në 4.4 mln deri në tetor të këtij viti dhe deri në fund të viti presim të kemi 5.2 mln pasagjerë. Krahasuar me vitin 2019 që ka qenë viti i fundit i mirë para pandemisë, ne kemi patur 3.2 mln pasagjerë, është pra gati dyfishi”, u shpreh Balluku.