Policia e Shtetit ka bërë me dije se do të hapen aplikimet për 300 vende, për të gjithë kandidatët e interesuar për të ndjekur studimet në shkollën bazë të policisë për “Patrullë të Përgjithshme”.
Mësohet se aplikimet do të nisin ditën e nesërme( 16 nëntor) dhe do të jenë të hapura deri më 30 dhjetor të këtij viti.
Po ashtu, janë bërë me dije kriteret dhe dokumentacioni i nevojshëm që duhen për të aplikuar.
Kriteret për aplikim
Kriteret, që duhet të përmbushë aplikanti, për të ndjekur studimet në shkollën bazë të Policisë, për “Patrullë të Përgjithshme”, janë:
– Të jetë shtetas shqiptar;
– Të jetë jo më shumë se 30 vjeç;
– Të jetë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat;
– Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil;
– Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
– Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën dhe të mos ketë shenja të dukshme (tatuazh) që nuk mbulohen nga uniforma verore e Policisë;
– Të ketë mbaruar arsimin e mesëm;
– Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një krimi ose të një kundërvajtjeje penale me dashje;
– Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit, të tipit “B”;
– Të jetë i pajisur me vërtetim besueshmërie.
Dokumentacioni për aplikim
Aplikantët duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm, për aplikim në Polici:
– Kërkesën e motivuar, në të cilën shprehen arsyet pse aplikanti dëshiron të bëhet pjesë e Policisë së Shtetit;
– Formularin e aplikimit dhe autorizimin për sigurimin e dokumentacionit;
– Fotokopje të kartës së identitetit;
– Dokument zyrtar që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm;
– Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit, të tipit “B”;
– Vërtetim nga gjykata;
– Vërtetim nga prokuroria;
– Fotokopje të librezës së punës, për ata që janë në marrëdhënie pune ose i kanë shkëputur marrëdhëniet e punës;
– Vërtetim që ndjek arsimin e lartë (për ata që vazhdojnë arsimit e lartë);
– Dokument i lëshuar nga institucionet shëndetësore, që vërteton se aplikanti nuk është përdorues i lëndëve narkotike;
– Mandat-pagesa e tarifës së aplikimit.
Kontrolli mjekësor dhe analiza që vërteton se nuk je përdorues i lëndëve narkotike janë procedura që kryhen në fazën e kontrollit shëndetësor.
Dëshmia e penalitetit dhe certifikata familjare nxirren nga vetë strukturat policore ku kryhet aplikimi.
Shqyrtimi i dokumentacionit dhe procesi i ankimimit
Afati i shqyrtimit dhe i verifikimit të dokumentacionit është 10 ditë pune nga mbyllja e afatit të aplikimeve.
Aplikanti që nuk plotëson kriteret dhe nuk ka paraqitur dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të aplikimit, skualifikohet dhe njoftohet me shkrim nga strukturat e Burimeve Njerëzore.
Aplikanti ka të drejtën e ankimimit tek Drejtoria Vendore e Policisë, brenda 2 ditëve nga data e njoftimit të përgjigjes. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë shqyrton ankimimin dhe kthen përgjigje brenda 5 ditëve nga data e marrjes së ankesës.
Fazat e konkurrimit
Aplikanti që kualifikohet për të vazhduar më tej procesin e konkurrimit, në Akademinë e Sigurisë, i nënshtrohet fazave të mëposhtme:
– Testimi me shkrim;
– Testimi i aftësive fizike;
– Intervista me gojë, ushtrime vlerësuese dhe testim i aftësive të të shkruarit;
– Testimi psikologjik;
– Kontrolli shëndetësor;
– Marrja e shenjave të gishtave;
– Verifikimi përfundimtar i aplikantit.