Në Durrës është arrestuar qytetari me inicialet V.R 63 vjeç pasi në bashkëpunim me një tjetër qytetar ka kërcënuar me thikë një kambist në rrugë. Ata i kanë vjedhur shumën prej 1 000 000 lekësh dhe janë larguar me mjetin që e ngiste qytetari me inicialet V.R.
Bashkëpunëtori në kërkim.
Priten informacione të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Dinamika”.
I morën me forcë dhe nën kërcënimin e një mjeti prerës (thikë), një shumë parash, një shtetasi, identifikohet dhe arrestohet njëri prej autorëve të dyshuar, si dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar kryesor i këtij krimi.
I arrestuari, drejtuesi i automjetit që u përdor për të kryer vjedhjen. Ky automjet u sekuestrua nga Policia e Durrësit, në cilësinë e provës materiale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kanë marrë kallëzim nga shtetasi S. H., 58 vjeç, banues në Durrës, i cili ushtronte në rrugë, në mënyrë të kundërligjshme, aktivitetin e këmbimit valutor, se 2 shtetas të paidentifikuar e kishin marrë në një automjet dhe duke e kanosur me mjet prerës (thikë), i kishin vjedhur një shumë parash, dhe më pas ishin larguar.
Menjëherë pas këtij kallëzimi, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar punën, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Dinamika”, falë veprimeve të shpejta profesionale, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i njërit prej autorëve të dyshuar të këtij rasti, konkretisht i shtetasit:
-V. R., 63 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.
Vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar kryesor të këtij krimi, njëkohësisht bashkëpunëtor i shtetasit të arrestuar V. R.
Nga hetimet paraprake të kryera për këtë rast, rezulton se 63-vjeçari, së bashku me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar, kanë marrë shtetasin S. H., në automjetin që drejtohej nga shtetasi V. R., dhe duke e kanosur atë, me mjet prerës (thikë), i kanë marrë shumën 1 000 000 lekë dhe më pas janë larguar.
Automjeti që u përdor për kryerjen e kësaj vjedhjeje, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.