Ballina Lajme Gjyqi për “vulën” e PD, KLGJ: Shantazhet dhe kërcënimet për vetëgjyqësi ndaj...

Gjyqi për “vulën” e PD, KLGJ: Shantazhet dhe kërcënimet për vetëgjyqësi ndaj gjyqtarëve, cënojnë rendin kushtetues

1

Vendimi i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, lidhur me ligjshmërinë e drejtimit të PD-së, mes Berishës dhe Alibeajt, është ndeshur me reagime të cilat shkojnë që nga gjuha e urrejtjes, thirrje publike për vetëgjyqësi e deri në kërcënime ndaj gjyqtarëve.

Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili, nëpërmjet një deklarate për mediat, nënvizon se qëndrime dhe deklarata të tilla janë të papranueshme.

Si organ i ngarkuar nga Kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, Këshilli i Lartë Gjyqësor, nëpërmjet kësaj deklarate, konstaton se sulmet ndaj gjyqtarëve nuk janë raste të izoluara.

“Respektimi i dinjitetit të gjyqtarit është një kusht i domosdoshëm për garantimin e shtetit të së drejtës. Gjuha e urrejtjes kundër gjyqtarëve është shqetësuese dhe e papranueshme. Thirrjet publike për vetëgjyqësi, ndaj një akti të pushtetit gjyqësor, pavarësisht mos dakordësisë me të, janë haptazi kundër rendit kushtetues, mbi bazën e të cilit funksionon shteti i së drejtës.’- thuhet në deklaratën e KLGJ-së.

Këshilli i Lartë Gjyqësor shprehet më tej se aludimet për “kapje” të gjyqtarëve, referojnë elementë të korrupsionit që, në mungesë të fakteve, minojnë rëndë besimin te drejtësia dhe autoritetin e pushtetit gjyqësor.

Sipas këtij institucioni, liria e shprehjes e garantuar nga Kushtetuta, nuk mbron në asnjë rast gjuhën e urrejtjes apo thirrjet për dhunë.

“Për nga natyra e vet, veprimtaria gjyqësore shkakton pakënaqësi ndaj njërës apo tjetrës palë, por në një shtet të së drejtës, mjeti ligjor për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë, sipas legjislacionit në fuqi, jo përbaltja e gjykatës, apo e gjyqtarit. Po ashtu, kushdo që vjen në dijeni të një veprimtarie apo sjellje të gjyqtarit që mund të përbëjë shkelje disiplinore sipas ligjit, ka mundësinë që rastin t’ia referojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për të vlerësuar dhe vendosur nëse është vendi për fillimin e procedimit disiplinor të gjyqtarit.”- përfundon deklarata për shtyp e KLGJ-së.

/rtsh.al/