Fact Check mëson ekskluzivisht se pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Spanjë, prokuroria shqiptare ka nisur procedurat e marrjes së zemrës së shqiptarit Saimir Sula të vdekur në Spanjë. Kjo sagë e familjes Sula pritet të marrë fund, ndërsa nuk dihet ende se kishte apo jo një tentativë për trafik organesh nga spitali spanjoll ku ai humbi jetën.
Pas më shumë se tre vitesh merr fund historia që tronditi opinionin publik në Shqipëri, ku një i ri shqiptar erdhi i pajetë nga Spanja dhe atij i mungonte zemra.
Gjykata e Apelit në Spanjë ka vendosur të kthejë për autoritetet shqiptare zemrën e sekuestruar të ndjerit Saimir Sula.
Ky vendim i hap rrugë kërkesës për kthimin e zemrës e cila në javët në vijim pritet të merret zyrtarisht nga një grup hetuesish shqiptarë dhe t’i dorëzohet më pas familjarëve.
Këtë ngjarje të rëndë në kufijtë e një skandali e zbuloi fillimisht motra e të ndjerit Majlinda Sula e cila vuri në lëvizje drejtësinë shqiptare ndërsa prej afro tre vitesh ajo ka protestuar mes Shqipërisë e Spanjës për zemrën e munguar.
Në Prokurorinë e Tiranës ka mbërritur vendimi i apelit spanjoll dhe kërkesa për të tërhequr tashmë zemrën e cila është mbajtur sipas drejtësisë Spanjolle për të ekzaminuar shkakun e vdekjes së të riut.
Ishin kërkesat për ndihmë juridike të Prokurorisë së Tiranës e më pas Ministrisë së Drejtësisë asokohe drejtuar nga znj.Gjonaj që zbuluan se zemra ishte mbajtur në mjekësinë ligjore Spanjolle pa njoftuar familjarët e të ndjerit.
Nuk dihet nëse familjarët e Sulës do t’i atashohen apo jo grupit hetimorë në marrjen në dorëzim të zemrës, e cila më pas do të shoqërohet me një tjetër procedurë ligjore në tiranë atë të lejes për zhvarrosjen e të ndjerit dhe bashkimin e trupit me zemrën.