Policia gjen motomjetin e përdorur nga ekzekutori, për vrasjen e biznesmenit nga Shëngjini, Ardian Nikulaj. Motori u gjet në afërsi të banesës së Edmond Haxhisë, i shpallur në kërkim si organizatori, porositësi dhe financuesi i vrasjes.
Motori u gjet disa metra larg shtëpisë së tij në fshatin Kakarriq, në afërsi të një lumi.
Vrasja ndodhi reth orës 13:25, të 19 prill 2023 në ambientet e lokal “Coral” në Shëngjin. Sipas policisë ekzekutori shtetasi portugez, Ruben Saraiva i veshur me jelek fosforeshent dhe me skafandër në kokë pasi kreu krimin në ambientet e lokal “Coral” në Shëngjin u largua me motomjetin e sekuestruar tashmë si provë.
“Si rezultat i hetimeve, informacioneve të siguruara dhe kontrolleve të imtësishme në terren të kryera nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe forcat operacionale të Policisë së Shtetit, në afërsi të banesës së shtetasit të shpallur në kërkim E. H., në fshatin Kakarriq, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan motomjetin e përdorur nga ekzekutori, për vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj” informoi sot polici e Lezhës
Policia vijon punën për sigurimin e të gjitha provave që shërbejnë për dokumentimin e plotë ligjor të autorësisë së vrasjes së kryer më 19 prill, në Shëngjin.
Grupi i posaçëm hetimor vijon hetimet dhe veprimet në terren, në funksion të dokumentimin të plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Mendohet se ekzekutori portugez dhe 4 britanikët dhe Edmond Haxhia të cijët janë shpallur në kërkim janë larguar nga Shqipëria dhe policia e Shtetit është duke bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Në kërkim:
1. Edmond Haxhia, shtetas me shtetësi shqiptare dhe britanike
2. Ruben Saraiva, shtetas portugez, i dyshuar si ekzekutori
3. Harry Simson, shtetas britanik,
4. Harriet Bridgeman, shtetase britanike,
5. Thomas Mithan, shtetas britanik,
6. Steven Hunt, shtetas britanik
Ndaj tyre është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.
/rtsh.al/