Eulex dhe Policia e Kosovës kanë gjetur këtë të hënë disa mbetje mortore në varrezat e Muhaxherëve në Prishtinë. Mbetjet dyshohet se i përkasin një shqiptari të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Mbetjet u gjetën gjatë gërmimeve që po kryheshin në varrezat në lagjen “Mati1” në Prishtinë, ky dyshohej se kishte mbetje të dy personave të zhdukur.
Sipas ekspertëve, mbetjet dyshohet se i përkasin një personi me nacionalitet shqiptar, të vrarë e më pas të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, tha se akoma nuk është konfirmuar identieti i mbetjeve, pasi duhet priten procedura të tjera për të marrë raportin e AND-së.
“Aktualisht ekipet tona të IML-së, të policisë dhe ekipet e komisionit e kanë has me një varr dhe në atë varr është gjetur një trup që sipas ekspertëve dyshohet të jetë person i zhdukur i luftës së fundit në Kosovë. Natyrisht këtë nuk mund ta vërtetojmë deri në procedurat e tjera të ekspertëve, deri në marrjen e raportit të ADN-së. Megjithatë, për mua në këtë rast, jo vetëm si kryetar i komisionit por edhe si familjar, sa herë një pajisje e tillë gërmon nën tokë e kemi një ndjesi të rëndë ndër vete, mirëpo tash kur e gjetëm ishte një ndjesi edhe më e rëndë por edhe lehtësimi që megjithatë shpresojmë se do të arrijmë te rezultati i personave të zhdukur. Shpresojmë se familjes, personi që i përket, t’ia lehtësojmë sado pak dhimbjen”, u shpreh Hoti për KosovaPress.
Ndërsa për personin e dytë që po kërkohet, Hoti tha se kërkimet do të vijojnë në të gjithë lokacionet e dyshuara.
“Nuk e di nëse do të mund të gjejnë prapë në të njëjtin varr apo në varre të tjera personin tjetër nëse ky është person i zhdukur, mirëpo ne nuk do te ndalim deri në gjitha pikat e tjera që kemi dyshime për persona të zhdukur”, deklaroi kryetari i Komisionit Qeveritar pwr Personat e Zhdukur.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar Për Persona të Zhdukur ka qenë gjithashtu i pranishëm, ku tha se në të njëjtin vend janë gjetur edhe trupa të tjerë, prandaj dyshohet se mund të ketë mbetje të tjera.
“Në bazë të dhënave që paraprakisht kemi lexuar, forcat serbe nga Spitali i Prishtinës gjatë viteve 99-të kanë bartur, në përpjekje të tyre për te fshehur gjurmët e krimit, mbetjet mortore kufomat e tetë viktimave në këtë lokacion dhe gjashtë nga tetë në bazë të dhënave janë gjetur të zhvarrosur, qoftë duke i identifikuar me metodë tradicionale nga ana e vet familjeve apo edhe me metodë shkencore të ADN-së nga ana e mekanizmave ndërkombëtarë që kanë qenë pjesë e këtij procesi, siç kemi pas rastin në vitin 2009 nga ana e EULEX-it”, u shpreh Gara.