Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka shtyrë për herë të tretë seancën për pretencën ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu i cili akuzohet për shpërdorim detyre në shpërthimin e Gërdecit.
Ditën e sotme, GJKKO ka pranuar kërkesën që pjesë e seancave të jenë edhe familjarët e viktimave si palë e procesit ku gjykohet ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Pas përfundimit të seancës së ditës së sotme, ku familjarët e viktimave janë pranuar si pjesë e procesit ka folur edhe avokati i famijarëve të tragjedisë së Gërdecit, Dorian Matlija duke e konfirmuar këtë fakt.
“Historia e pjesëmarrjes së viktimave në çështjet penale është një luftë shumë e gjatë. Viktimat janë pjesë procesit dhe janë krah për krah për të zgjedhur çështjen. Do të bënte një shpallje publike. Ata kanë të drejta për të shkruar çdo lloj gjëje.
Është një fitore për familjen Durda, pasi ka bërë përpjekje shumë kohë më parë. Prova të reja në gjykim të shkurtuar nuk mund të paraqiten dot.
Në gjykim të zakonshëm çdo gjë mund të ndodhë. Unë dua të them se interesi i familjarëve është në mënyrë konsistente. Vetëm e vërteta i çliron njerëzit“, u shpreh Matlija.
Ndërkaq, një nga familjarët e prekur nga tragjedia e Gërdecit, Zamira Durda e cilësoi vendimin e sotëm të GJKKO-së si “një fitore e vogël që e kemi kërkuar që prej vitit 2009. Provat janë publike që është një krim shtetëror që vrau djalin tim”
Si u rihap çështja e Gërdecit ndaj Fatmir Mediut
Çështja ndaj Mediut për tragjedinë e Gërdecit u rikthye në vëmendje kur familja e 7-vjeçarit Durda që humbi jetën në këtë tragjedi, depozitoi në SPAK kërkesën për ndjekjen penale të Mediut. Ndërsa më 10 janar të këtij viti ai u mor zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme.
Në atë ditë ai deklaroi se “i është prezantuar i njëjti fashikull, me të njëjtin prokuror, për njëjtën akuzë pa shtuar asnjë dokument shtesë nga viti 2009”.
Dërgimi i Mediut në SPAK erdhi pasi Gjykata e Lartë depozitoi më 28 tetor të vitit 2021 në Prokurorinë e Posaçme dosjen për ish-ministrin e Mbrojtjes.
Gjithashtu, rruga e hetimeve ndaj ish-ministrit u rihap pasi Gjykata e Posaçme e Apelit, bëri të ditur se e Mediu nuk është gjykuar më parë, për shkak të imunitetit të deputetit edhe pse afatet e parashkrimit janë respektuar, pasi Mediu është marrë i pandehur që në vitin 2009.
Imuniteti parlamentar do të ishte shkaku që Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në vitin 2009 të vendoste pushimin e çështjes penale ndaj Mediut.
Por tashmë çështja i ka kaluar Gjykatës së Posçame Antikorrupsion, ku do të gjykojë ish-ministrin për shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim.
Tragjedia e Gërdecit
Tragjedia e Gërdecit ndodhi më 15 mars të vitit 2008, gjatë demontimit të armëve dhe çmontimit të municioneve luftarake të shoqërisë “Albademil” sh.p.k.
Nga shpërthimi mbetën të vrarë 26 persona, përfshirë burra, gra e fëmijë, ndërsa u plagosën qindra të tjerë. Si pasojë e shpërthimit u shkatërruan edhe qindra shtëpi.