Ish kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Genti Ibrahimi është emëruar gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Ibrahimi është emëruar për postin vakant të shpallur nga Presidenca më 13 Janar 2022, pas mbarimit të mandatit të gjyqtarit Përparim Kalo.
Pas vlerësimit me pikë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi më 28 Tetor 2022, Gent Ibrahimi mori rezultatet më të larta me 88.38 pikë, ndërsa në garë ishin edhe Arta Vorpsi, e cila u rendit e dyta me 88.22 pikë dhe e treta Arta Marku me 82.66 pikë.
Presidenti Bajram Begaj pasi u njoh me Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve dhe vlerësoi praktikën dokumentare të vendimmarrjes së KED-së vendosi emërimin e Genti Ibrahimi si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
Lista e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese
- Dr. Vitore Tusha, Kryetare
- Marsida Xhaferllari, anëtare
- Dr. Fiona Papajorgji, anëtare
- Dr. Elsa Toska, anëtare
- Altin Binaj, anëtar
- Sonila Bejtja, anëtare
- Dr. Sandër Beci, anëtar
- Ilir Toska, anëtar
- Gent Ibrahimi, anëtar
VENDIMI
NJOFTIM PUBLIK PËR EMËRIMIN E GJYQTARIT TË GJYKATËS KUSHTETUESE
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Bajram Begaj ka administruar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e krijuar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me mbarimin e mandatit të gjyqtarit Përparim Kalo, shpallur nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 13413 datë 13.01.2022.
Sipas praktikës dokumentare të dërguar, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me vendimin nr. 46 datë 28.10.2022 ka vendosur miratimin e Listës Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, vakancë e plotë e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 13.01.2022, si më poshtë:
- Genti Ibrahimi 88.38 pikë
- Arta Vorpsi 88.22 pikë
- Arta Marku 82.66 pikë
Presidenti i Republikës, pasi u njoh dhe vlerësoi praktikën dokumentare të vendimmarrjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si dhe duke vlerësuar nevojën për plotësimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, në mbështetje të neneve 93, 125 pika 1, 127 pika 3, 129, 149/d pika 1, të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me Dekretin nr. 13877, datë 7.12.2022, ka vendosur që:
- Genti Ibrahimi të emërohet gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
/rtsh.al/