I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar pritet të mbërrijë këtë të martë (11 prill) në Tiranë.
Gjatë kësaj vizite, e cila vjen dy ditë para nisjes së fushës elektorale, Escobar do të qëndrojë dy ditë në kryeqytet, ku pritet që të zhvillojë takime me zyrtarët e lartë.
Sikurse bëhet me dije nga burime për rtsh.al, zyrtari i lartë amerikan do të takohet me kreun e shtetit Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësues të Partisë Demokratike, sikurse janë kreu demokrat Enkelejd Alibeaj, deputeti Gazment Bardhin dhe deputetja Jorida Tabaku.
Kujtojmë se vizita e fundit e Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Gabriel Escobar në Tiranë ishte më 9 dhjetor 2021, pak muaj pasi DASH kishte marrë vendimin për të ndaluar hyrjen në SHBA të ish kryeministrit Sali Berisha e familjes së tij, duke e futur atë në listën e zyrtarëve “të përfshirë në korrupsion në nivel të lartë”.
/rtsh.al/