Ballina Lajme Furnizonin me drogë Evropën, çmontohet banda e shqiptarëve në Spanjë

Furnizonin me drogë Evropën, çmontohet banda e shqiptarëve në Spanjë

1

Një organizatë kriminale me origjinë shqiptare që vepronte në Costa Tropical të Granadës dhe në Malaga të Spanjës është çmontuar nga Policia Kombëtare. Ky grup ishte i përkushtuar për kultivimin, transformimin dhe dërgimin e sasive të mëdha të marijuanës në Evropën veriore.

Nga pesë personat e arrestuar, katër (shqiptarë)  janë lënë në burg, të akuzuar për kryerjen e dyshuar të krimeve të trafikut të lëndëve narkotike, grupit të strukturuar kriminal dhe mashtrimit të energjisë elektrike.

Hetimi për këtë grup filloi marsin e kaluar, kur Grupi i Narkotikëve të Komisariatit të Policisë Motril mori disa informacione në lidhje me ekzistencën e një plantacioni marijuane që kultivohej brenda një magazine industriale të një qyteti të vogël në bregdetin e Granadës.

Pas hetimeve të gjata, policia ka arritur të vërtetojë ekzistencën e plantacionit të marijuanës.

Ambienti i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike përbëhej nga dhoma të dedikuara për zhvillimin dhe lulëzimin e bimëve të marijuanës dhe nga ana tjetër nga pjesë specifike të destinuara për mbirjen e bimëve të përmendura.

Gjatë këtij kontrolli, policia arrestoi pronarin e shtëpisë dhe sekuestroi mbi 450 bimë marijuanë në gjendje të avancuar zhvillimi.

Një plantacion i dytë në Costa Tropical

Në vijim të hetimeve, në fillim të muajit nëntor, agjentët çmontuan një plantacion të dytë të përbërë nga tre dhoma në një apartament të vendosur në bregdetin e Granadës.

U gjetën 130 bimë të tjera marijuanë dhe u bë arrestimi i një shqiptari.

Nga ana tjetër, hetimi i përqendruar në disa banesa në qytetin e Mijas-Costa të Malagës, përfundoi me arrestimin e tre burrave të tjerë me origjinë shqiptare, të gjithë anëtarë të organizatës kriminale të hetuar.

Si funksiononte organizata

Organizata tashmë e shpërbërë karakterizohej nga menaxhimi gjithëpërfshirës i trafikut të drogës, dhe aktivitetet e saj varionin nga gjetja dhe marrja me qira e fermave dhe shtëpive fshatare në vende të izoluara në Costa Tropical të Granadës, deri te zhvillimi i plantacioneve të marijuanës në këto ambiente, deri te transformimin, ruajtjen dhe dërgimin në veri të Evropës të marijuanës tashmë të përpunuar.

Këta persona përdornin automjete të marra me qira me dokumentacion të falsifikuar për të vështirësuar gjetjen e tyre nga punonjësit e policisë.

Nga ana tjetër, materiali i nevojshëm për zhvillimin e plantacioneve u ble nga kjo organizatë në prona të ndryshme industriale pranë kryeqytetit të Malagës.

Të arrestuarit janë një shtetas spanjoll 27-vjeçar pa precedentë penalë, së bashku me katër burra të tjerë me origjinë shqiptare.

Këta të fundit janë nga moshat 25 deri në 51 vjeç dhe nuk ishin me precedentë policor në Spanjë, përveç njërit prej tyre.

Të arrestuarit akuzohen për kryerjen e veprave penale të trafikut të lëndëve narkotike, përkatësisë në organizatë kriminale dhe mashtrimit të energjisë elektrike.

Autoriteti gjyqësor ka vendosur tashmë dënimin me burg për katër prej të arrestuarve, sipas medieve spanjolle. 

Megjithatë, duke marrë parasysh dokumentacionin e sekuestruar, hetimet vijojnë dhe nuk përjashtohen arrestime të reja në lidhje me këto ngjarje.