Ballina Lajme Furnizimi me ujë të pijshëm dhe investimi në sistemin e kanalizimeve ka...

Furnizimi me ujë të pijshëm dhe investimi në sistemin e kanalizimeve ka qenë dhe mbetet ndër prioritetet e punës së Bashkisë së Fierit në mandatet e saj qeverisëse.

2

Aktualisht bashkia Fier administron një rrjet ujësjellësi prej 436 km nga i cili 194 km rrjet kryesor dhe 242 km rrjet shpërndarës. Ndërkohë që largimi i ujërave të ndotura realizohet nëpërmjet një sistemi me rrjedhje të lirë dhe një rrjeti kanalizimesh prej 99 km.

Me krijimin e bashkisë së re në vitin 2015 shumë fshatra dhe lagje periferike të qytetit nuk kishin rrjet ujësjellësi dhe për rrjedhojë ky shërbim nuk afrohej fare. Përpos kësaj situate binte barra për të kryer investime të cilat do të plotësonin kërkesat e popullatës së pari për ujë të pijshëm.

Dhe rezultat filluan të dilnin në pah. Në nëntor të vitit 2017 është përuruar ndërtimi dhe rehabilitimi i sistemit të ujësjellës – kanalizimeve në qytetin e Fierit, pjesë e programit “Infrastruktura bashkiake 1 dhe 2” e bashkëfinancuar nga BE me anë të një granti në shumën totale prej 20.4 milion eurosh dhe Republika Federale e Gjermanisë me anë të një huaje prej 5.4 milion eurosh, përmes KfV-së.

Përmes këtij investimi rreth 40% e popullatës së Fierit, ose rreth 36.000 banorë, përfituan direkt nga investimi i kryer. KfW-ja së bashku me qeverinë shqiptare kanë dizajnuar një “Program investimesh të bazuar mbi performancën” me qëllimin e përbashkët për të siguruar një furnizim me ujë higjenikisht të sigurtë, me tarifa të cilat mbulojnë kostot dhe janë të përballueshme nga ana sociale si edhe higjienë të përshtatshme përmes largimit të ujërave të ndotura.

Ky lloj përafrimi është njohur nga qeveria shqiptare si një mjet shumë efikas për t’u përdorur dhe tashmë është bërë pjesë e politikave sektoriale të saj. Si rezultat i kësaj mënyre përafrimi dhe investimeve të kryera nga BE dhe KfË, ndërmarrja e ujësjellës-kanalizimeve të Fierit është tashmë e aftë të mbulojë thuajse të gjitha kostot operacionale të saj (nga 43% që ishte përpara projektit në 96% në 2017), një parakusht ky për qëndrueshmërinë e këtij investimi si edhe të ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizimeve në Fier.

Bashkëpunimi Gjermano-Shqiptar filloi në vitin 1988. Që nga ai vit Qeveria Gjermane ka angazhuar një shume totale prej mbi një miliard euro. Sektori i ujësjellës-kanalizimeve është një nga sektorët kyç të Bashkëpunimit Financiar Gjermani-Shqipëri, për të cilin Qeveria Gjermane ka angazhuar më shumë se 335 milion euro, që nga viti 1998.

Gjatë këtyre viteve në sajë të investimeve të bashkisë janë ndërtuar 16 ujësjellës të rinj në fshatrat Ndërnënas, Hasturkas, Libofshë, Patos Fshat, Buzë Madh, Mbyet, Kraps, Vreshtas, Varibop ku përfituese janë rreth 18 mijë familje në këto zona. Janë rehabilituar në mënyrë të plotë depo uji dhe ujësjellës në fshatrat Cakran, Vërri, Kallm i Madh, Kallm i Vogël, Mbrostar, Portës apo dhe në Levan. Po në kuadër të investimeve mund të përmendet përfundimi i ujësjellësit të ri në Mbrostar Ferko financim i qeverisë shqiptare i cili ka futur në skemën e furnizimit me ujë rreth një mijë familje të tjera.

Këto investime do të vazhdojnë ndikuar dhe nga reforma me e fundit të ndërmarrë nga qeveria për agregimin e ujësjellësve. Qeveria shqiptare ka synuar kurdoherë realizmin e një reforme në sistemin e furnizimit me ujë, si dhe në trajtimin e ujërave të zeza.

Kjo reformë bëhet për të rritur mirëmenaxhimin e ujësjellësve. Në fillim të viti të ardhshëm pritet që të fillojë zbatimi i fazës së pestë i projektit te financuar nga qeveria gjermane nëpërmjet KfW-së në vlerën 14-16 milionë euro i cili përfshin dy zona periferike të qytetit pjesën lindore nga kodrat e lagjes “1 maji” dhe deri Sheq të Madh si dhe pjesën perëndimore nga Qenasi deri në Mrostar Ferko.

Ky investim parashikon investimin në sistemin e kanalizimit të ujërave të zeza dhe të bardha që është shqetësimi kryesor i banorëve të këtyre zonave./Tv Kombi