Ashtu siç ishte paralajmëruar, Fredi Beleri ka lënë mëngjesin e sotëm ambientet e burgut të Fierit, pasi do të betohet nesër si eurodeputet i Parlamentit Europian në Francë.
Siç shihet nga pamjet e siguruara për BalkanWeb, Beleri ka dalë nga porta kryesore e burgut të Fierit, atje ku po vuan 2 vite burg nën akuzën e blerjes së votave në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit të vitit të kaluar. Ai është pritur në hyrje të ambienteve të burgut nga familjarë dhe makina e ambasadës greke.Për median greke ai ka pohuar se ishte shumë i lumtur, ndërsa i shprehu falënderime atyre për mbështetjen e dhënë në kaq muaj, duke raportuar lajme për të. “Jam i lumtur e ju falënderoj për mbështetjen që me keni dhënë për kaq muaj, të tjerat do t’i them në Athinë. Për median shqiptare, do të flas në aeroport.”, tha Beleri.
Drejtoria e Burgjeve, ka kërkuar nga Beleri informacion të plotë, duke përfshirë garancinë e udhëtimit, dorëzimin e biletës vajtje-ardhje, akomodimin dhe rregullimin e hotelit. Nëse do të qëndrojë më shumë se sa e lejon leja, për shkak të zhvillimeve atje, do të duhet të informojë zyrtarisht të gjitha institucionet përkatëse, përfshirë edhe autoritetet lokale.