Ballina Lajme Fluksi i emigrantëve të jashtëligjshëm, Ministri britanik: Qindra shqiptarë janë kthyer në...

Fluksi i emigrantëve të jashtëligjshëm, Ministri britanik: Qindra shqiptarë janë kthyer në bazë të marrëveshjes mes 2 vendeve

3

Qindra shqiptarë të cilët emigruan me varka të vogla drejt Mbretërisë së Bashkuar, janë kthyer sërish në vendin tonë. Kështu ka deklaruar Ministri britanik i Emigracionit, Robert Jenrick.

Në një intervistë për Sky News, ai  bëri me dije se janë më shumë se 12 mijë shqiptarë që kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa theksoi se kthimi i tyre në Shqipëri i atribuohet  marrëveshjes së ashtuquajtur “standardi i artë”, e arritur mes qeverive të të dy vendeve.

Sipas tij procedura e mëparshme e ashtuquajtur e “pretendimeve të rreme të minutës së fundit” kishte penguar dëbimet, ndërkohë që pranoi se shumë të tjerë ishin aktualisht në hotele ose ishin arratisur.

Ministri britanik i migracionit pohoi nga ana tjetër se të kthyerit me dëbim përfshinin ata që nuk kishin fituar të drejtën e azilit, shkelësit e kufirit, por kishte edhe kthime vullnetare.

Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij, Rishi Sunak, ranë dakord në dhjetor për të rritur bashkëpunimin në tre fusha, njëra prej të cilave mbulonte luftën kundër krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm.

Marrëveshja përfshinte ngritjen e një task force të përbashkët për “menaxhimin e migrimit të paligjshëm të shtetasve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar”.

/rtsh.al/