Ballina Lajme Fluks në Morinë, qytetarët e Kosovës zgjedhin Durrësin e Tiranën për të...

Fluks në Morinë, qytetarët e Kosovës zgjedhin Durrësin e Tiranën për të festuar Pavarësinë: Jemi një

4

Në 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë duket se qytetarët e Kosovës kanë ‘braktisur’ Kosovën dhe i janë drejtuar Shqipërisë. Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, në pikën e kalimit kufitar në Morinë ka pasur një fluks të dendur të automjeteve që janë drejtuar drejt Shqipërisë për të kaluar fundjavën.

Shumë qytetarë kanë zgjedhur që të festojnë në Shqipëri, ku me qindra makina e dhjetëra autobusë kaluan pikën e kalimit kufitar për të shkuar drejt Durrësit e Tiranës. Qytetarët thonë se kanë zgjedhur që të kalojnë një fundjavë në bregdet.

 

Ata nuk shohin ‘vija ndarëse’, por festimet për ta janë njëjtë si në Kosovë e si në Shqipëri.

“Për Durrës. Do kalojmë fundjavën. Urime. Pse nuk keni festuar në Kosovë po në Shqipëri? Po njëjtë është, një jemi.

Jemi t’u shkuar për ekskursion, shëtitje, edhe për me festuar pavarësinë. Urime të gjithë shqiptarëve.

Në Shqipëri, po shkojmë në ekskursion. Pse nuk e festoni në Kosovë? Po njëjtë, si në Kosovë si në Shqipëri.

Në Durrës, Vlorë, Berat. Me festuar pavarësinë. Pse nuk e festoni në Kosovë? Bën edhe atje edhe këtu, njëjtë është”, thonë disa prej qytetarëve.

Punonjësi i një agjencie turistike tregon se destinacione të preferuara kanë qenë edhe Kroacia apo Stambolli, por gjithsesi Shqipëria mbetet më e kërkuara.

“Në Durrës, për një vizitë, kemi një grup të organizuar. Ka shumë për Shqipëri, por ka edhe në Kroaci, Stamboll. Urime Pavarësia”, thotë ai.

Kalimet bëhen pa kontroll në Morinë, sipas marrëveshjes së dy qeverive për festat dhe fundjavat.