Kosovë- Dëshmi të reja mësohen nga vdekja e Artan Zyberit nga Peja që pak javë më parë vdiq në burgun Sremska Mitrovica në Serbi. Xhaxhai i 28-vjeçarit i cili jetonte në Norvegji ka treguar për mediat momentin e arrestimit të nipit të tij si dhe dyshimet e tyre për vdekjen.
Nagip Zuberi ka treguar se nipi i tij është arrestuar nga policia serbe në kufirin Kosovë-Serbi, pasi po kthehej në Norvegji aty ku jetonte me familjen e tij. Sipas tij arsyet e arrestimit të shqitptarit nga policia serbe ishin tatuazhet e tij nëpër trup me flamurin kombëtar dhe një foto me armë kallashnikov në makinën me të cilën po lëvizte.
“Arrestimi i Artanit ka ndodhur para një vit e dy muaj, përafërsisht. E familjarët e kanë marr vesh arrestimin e tij diku pas një jave. Pasi e kanë marr vesh që është arrestuar nga policia serbe dhe është në burg për shkak të automjetit, ku e kishte të fotografinë e një arme kallashnikov, familjarët menjëherë kanë shkuar dhe kanë angazhuar avokat nga Norvegjia. Edukatorja e tij sociale që është që nga fëmijëria, ka intervenuar përmes ambasadës për ta transferuar këndej. Prindërit kishin shkuar në Beograd, kur atij veç iu kish shqiptu dënimi si terrorist shqiptar, për tri vite”.
Ai thotë se djali i vëllait të tij, Artani ka vdekur në këtë burg pas torturave që i janë bërë gjatë vuajtjes së dënimit të tij si dhe pas zjarrit që kishte përfshirë burgun më 21 nëntor 2022. Sipas tij burgu ku 28-vjeçari vuante dënimin është përfshirë nga flakët dhe për tetë orë dyert e katit ku ai qendronte kanë qenë të mbyllura. Kjo sipas tij është bërë që 28-vjeçari të humb jetën për shkak të asfiksisë nga tymi dhe zjarri.
“Më 21 nëntor paska ndodh djegia e burgut në pavijonin numër 2. Ne e kemi lajmëru rastin në Norvegji, pasi Artani është shtetas norvegjez, ka lindur atje. Artani ka pas tatuazh nëpër trup, kallash edhe në kerr po ashtu. Artani ka ardh nga Serbia për në Kosovë. Në kthim ai është kapur nga policia serbe në kufirin Kosovë-Serbi. Artani ka ndërruar jetë më 21 nëntor. Ai e ka dashur vendin e vet. E ka vizatuar flamurin sipas dëshirës së vet. Si djemtë e rinj që bëjnë tatuazhe. Për mendimin tim ka pas maltretime të mëdha. E fundit ka qenë kur e kanë djeg burgun, e kanë mshel pavijonin numër dy për tetë orë. Aty ka pas dhe të burgosur të tjerë, jo vetëm Artani. Nëpër gazeta, serbët e jepnin lajmin se kinse katër gardianë janë lënduar, e për të vdekur nuk kanë raportuar që ka”.
Më tej ai thotë se 28-vjeçarin e ka vizituar disa herë në burg nëna e tij por ajo ka vënë re disa sjellje të çuditshme te ai.
“Vetëm nëna e tij e ka vizituar në burg të Sremska Mitrovicës në Serbi. Neve na i patën ndaluar vizitat. Edhe nënës së vet dhe babës ia patën ndalu vizitat nja dy-tri herë, me arsyetimin ‘jo nuk është këtu, jo nuk gjendet këtu’. E qisi rrena e manipulime qysh bëjnë ata me politikën e tyre. Kur e kish pa nana e vet për herë të fundit ka qenë shumë i hutuar, sa që shikonte majtas-djathtas, pasi e kanë torturu shumë. E kanë rreh shumë. Nana e vet e ka pyet çka ke, e ai veç ka kqyr anash”.
Xhaxhai i 28-vjeçarit thotë se nipi i tij do të varroset në Norvegji pasi atje jeton dhe ka gruan e dy fëmijët. Sipas tij babai i Aranit ka një regjistrim audio të një siriani (gjithashtu i burgosur), i cili ka treguar për torturat që ia kanë bërë gardianët serbë Artanit në burg.
Trupin e kemi marr të martën në orën 17:00 nga spitali i Novi Sadit nga morgu. Nuk e kemi pa trupin, pasi na e kanë dhënë në arkivol të mbyllur. Vëllai s’ka mundur me çel, se tha ‘mërzitem më shumë rrugës’. Trupi i pajetë i Artanit do t’i dorëzohet autoriteteve norvegjeze. Varrimi i tij do të bëhet në Norvegji. Artani është 28 vjeç, i martuar dhe i ka dy fëmijë. Serbët ia kanë bërë obduksionin dhe sipas tyre ka dalë si vdekje normale. Edhe një incizim e ka vëllai të një siriani, i cili i ka treguar se si e kanë torturuar Artanin në burg. Sa që siç kish thënë siriani, ai s’ka guxu as me u la, pasi në momentin që ia kanë pa tatuazhet e kanë rreh.