Ballina Lajme Ekonomi Fiskalizimi/ Shqipëria vlerësohet si i vetmi në rajon me proces të përfunduar

Fiskalizimi/ Shqipëria vlerësohet si i vetmi në rajon me proces të përfunduar

1

I vlerësuar si vendi i parë në rajon që ka përfunduar procesin e fiskalizimit të bizneseve, Shqipëria vijon të përmirësojë formalizimin e ekonomisë. Ekspertët ndajnë opinione të ndryshme sa i përket përfitimeve nga reforma e fiskalizimit. Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ende nuk ka dhënë një shpjegim për përfitimet nga ky proces.

Autoritetet fiskale lajmëruan se, pas dy vitesh nga fillimi, përfundoi procesi i fiskalizimit të bizneseve. Sipas të dhënave të administratës, janë fiskalizuar rreth 105 mijë tatimpagues, ku 78 mijë prej tyre janë biznese të vogla dhe rreth 27 mijë subjekte të mëdhenj. Nisur nga këto shifra, sot Shqipëria renditet ndër vendet e para në rajon, sa i takon zbatimit me sukses të reformës së fiskalizimit. Që do të thotë se 100% e biznesit lëshon fatura elektronike në kohë reale, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave dhe formalizimin e ekonomisë. 

Ky ishte procesi, që u cilësua si revolucion në fushën e tatim taksave dhe që, hasi në gjykime të ndryshme, deri në kundërshti të hapura nga bizneset dhe përfaqësuesit e tyre. I nisur nga 1 janari 2021 për transaksionet mes enteve publike, i vazhduar më 1 korrik 2021, me transaksionin pa para në dorë mes bizneseve dhe i avancuar në fazën përfundimitare, që u konsiderua dhe më delikate, nga 1 shtatori 2021 e këtej, ky proces përfshiu në fiskalizim edhe bizneset e vogla për shitjet me para në dorë, periudhë që do të duhej të përfundonte pa penalitete deri më 30 qershor 2022.

Numri i bizneseve të fiskalizuara, në përfundim të reformës, është në ndërkohë 12% më pak nga totali i bizneseve aktive. 
Procesi, jo vetëm revolucionarizoi mënyrën se si bizneset komunikojnë me sistemin tatimor në vend, por nxiti biznesin drejt ofrimit të zgjidhjeve teknologjike.

Po a mundi ky proces revolucionarizues të ndikonte në formalizimin e ekonomisë dhe të biznesit?

Ekspertët dhe analistët, kanë sjellë një këndvështrim analizues të efektit të instrumentit të fiskalizimit, nëpërmjet arkëtimeve nga TVSH, për vitin 2021 dhe 2022, por pjesërisht edhe nga akciza. Rezultatet tregojnë se të ardhurat e arkëtuara në llogari të agjencisë tatimore janë vetëm 1.8 miliard lekë më shumë në vitin 2022. 

Studio ALTAX vëren, përshembull se, efekti i fiskalizimit nuk ka ndikim më shumë se 0.2% në rritjen e totalit të të ardhurave nga taksat e konsumit. Nëse në këtë tregues përfshihet edhe treguesi i çmimeve të konsumit, atëherë ndikimi është negativ. Qeveria kishte pritshmëri për rritje me 10 për qind të të hyrave fiskale nga fiskalizimi për cdo vit të aplikimit të tij.

Vlerësimi shkon më tej, duke konsideruar edhe projeksionin e të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar, TVSH, për vitin 2023 dhe tregon se gjithë procesi i fiskalizimit, ende nuk mund të konsiderohet i suksesshëm.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, gjatë një bilanci për vitin e kaluar, vlerësoi se rritja e të ardhurave tatimore ka pasur në bazë të saj ecurinë më të mirë të ekonomisë, por edhe ndikimin e reformave të ndërmarra, ndër të tjera edhe fiskalizimin.

/rtsh.al/