Kohët e fundit fatmirësisht në mediat ndërkombëtare kemi parë se çfarë promovimi i jashtëzakonshëm u është bërë vlerave turistike të vendit tone. Mediat më prestigjioze, nga CNN, The Guardian, New York Post, Daily Mail, etj. kanë shkruar mbi bukuritë natyrore të vendit tone duke nxitur njerëzit ta vizitojnë.
Mirëpo, një artikull krejt ndryshe është publikuar së fundmi nga “Financial Times” që ironizon normat e shoqërisë shqiptare. “Ndërsa burrat e papunë ikin jashtë vendit, gratë shqiptare përqafojnë liri të reja”-mban titullin opinion i shkruar nga Camilla Bell-Davies, që ka vizituar vendin tonë, konkretisht Bajram Currin, për të parë nga afër se çfarë ndodh.
Artikulli vendos theksin te pagat e ulëta dhe kostot më të larta të jetesës në Ballkan, dhe gratë e nënat e braktisura që kujdesen për veten e tyre, me burrat që emigrojnë gjithnjë e më shumë.
Artikulli i plotë
“Bajram Curri, pozicionuar në skajin verior, malor të Shqipërisë ka përjetuar një eksod burrash.
Rreth një sobe me dru në një dyqan në Bajram Curri, një grup grash punojnë, bisedojnë dhe shkëmbejnë foto të djemve dhe burrave të tyre, pothuajse të gjithë në Londër. Nga 12,310 emigrantë shqiptarë që shkuan në Britaninë e Madhe vitin e kaluar me varka, shumica dërrmuese ishin burra nga ky rajon malor. Ata u larguan për shkak të mungesës së punës ose ndjenjës së mërzisë dhe mungesës së shpresës. Ky eksod po transformon njëherësh jetën e grave dhe nënave që ata kanë lënë pas. Në këtë dyqan gratë mblidhen për të bërë ushqime, për të qepur rroba, për të bërë stoli të endura me dorë dhe për të vizatuar harta për t’ua shitur vendasve dhe turistëve.
Duke ruajtur rutinën e përditshme, ato kanë krijuar pikërisht atë që burrave të tyre po u mungonte në vendin e tyre: një jetë sociale, një burim të ardhurash dhe shpresë.
Pavarësisht një bumi të fundit në turizëm, mungesa kronike e vendeve të punës në Shqipëri është ende duke i larguar njerëzit. Kushtet ekonomike nuk janë aq të dëshpëruara sa ishin në komunizëm, por tranzicioni drejt një ekonomie tregu të begatë po rezulton të jetë i gjatë dhe i vështirë. Vendi ka disa nga pagat më të ulëta dhe kostot më të larta të jetesës në Ballkan. Edhe paga minimale e propozuar është gjithashtu e pamjaftueshme për të përballuar inflacionin në rritje: në vitet 2021-2022, shqiptarët shpenzuan deri në 60 për qind të të ardhurave të tyre vetëm për ushqime, sipas Andi Hoxhaj, një specialist i Ballkanit Perëndimor në University College London.