Nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen E. P., banuese në Fier, pasi ka bërë kallëzim një shtetase se shtetasja E. P. i ka mashtruar nënën dhe ka përfituar prej saj, me anë të falsifikimit të dokumenteve, një shumë parash. Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. B., 28 vjeç dhe L. Z., 35 vjeç, të dy banues në Fier, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan doza me lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan shtetasin D. Y., 28 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka vjedhur në banesat e shtetasve G. Ç dhe M. Ç. Po nga këto struktura u bë ndalimi i shtetasit L. B., 60 vjeç, banues në Tiranë, të shpallur në kërkim si autor i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Dhuna në familje” dhe “Dhunimi i varreve”. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin L. Sh., 50 vjeç, banues në Grizë, Patos, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një shtetasi (nipi i tij). Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. A., 34 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta një shtetas. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër arrestuan shtetasin G. S., 64 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një shtetase të mitur. Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: -H. B., 61 vjeç, banues në Hekal, pasi me vetëgjyqësi, ka bllokuar me gurë, rrugën e fshatit; -K. J., 54 vjeç dhe A. J., 25 vjeç, pasi dyshohet se me vetëgjyqësi, përdorin tokën e një shtetasi tjetër. Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Fier arrestuan shtetasin L. S., 29 vjeç, banues në Lushnjë pasi, mbrëmjen e djeshme, duke drejtuar automjetin është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin Q. B., 37 vjeç. Si pasojë e përplasjes, është dëmtuar shtetasi Q. B., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.