Ballina Lajme Festohet Kurban Bajrami, besimtarët myslimanë në të gjithë vendin falin namazin

Festohet Kurban Bajrami, besimtarët myslimanë në të gjithë vendin falin namazin

11

Besimtarët myslimanë në të gjithë Shqipërinë festojnë këtë të diel festën e Kurban Bajramit.

Mëngjësin e kësaj të diele me mijëra besimtarë të besimit islam e kanë nisur me faljen e namazit në xhami apo në sheshet kryesore.

 

Qindra besimtarë në Elbasan u mblodhën në sheshin “Gensher”për faljen e namazit të Kurban Bajramit. Në fjalën e tij myftiu i Elbasanit Agim Duka referuar ngjarjeve të fundit që kanë tronditur themelet e familjes bëri thirrje për mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave të saj dhe respektin ndaj njëri-tjetrit. Besimtarët përcollën urimet e tyre dhe folën për rëndësinë e solidarizimit për njerëzit në nevojë.Falja e Kurban Bajramit në Vlorë është zhvilluar në sheshine flamurit pranë xhamisë kryesore të qytetit. Qindra besimtarë ishin në shesh ndërsa falja e namazit është bërë nga myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhllaku.

Më të bashkuar se kurrë duke uruar njëri-tjetrin, besimtarët myslimanë në Fushë Krujë kanë falur Kurban Bajramin. Besimtarët, që në orët e para të mëngjesit, janë bashkuar në stadiumin e këtij qyteti i tejmbushur nga të gjitha grupmoshat.  Sipas fesë Islame rituali dhe festa e Kurban Bajramit nis me faljen nëpër Xhami dhe më pas me prerjen e Kurbanit për ata që kanë mundësi dhe shpërndajnë për njerëzit në nevojë.

Besimtarët myslimanë të Shkodrës kanë falur namazin e Kurban Bajramit në sheshin kryesor te qytetit. Myftiu i Shkodres Imam Muhamed Sytari ju drejtua besimtarëve duke kërkuar ruajtjen e paqes dhe të harmonise në vend.