Kur fëmijët bëhen dëshmitarë të dhunës që ka përjetuar nëna e tyre, një shoqëri ka për detyrë të heshtë e të lutet që e vërteta dhe drejtësia të bëjnë punën e tyre.
Fëmijët e Bedrijes po përpiqen më shumë se kushdo të tregojnë të vërtetën për nënën e tyre. Ata janë me të dhe nuk është një gjë që në Shqipëri ka ndodhur përherë. Ata po e mbrojnë më shumë se kushdo. Edhe nga ata që ende pa e mësuar të vërtetën sot po thonë: “Po po, iu vra nëna, tani po arrestojnë dhe babanë”, pra sikur një dyshim për vrasje, paska lehtësime dhe arsye që të lehtësojë ata që e bëjnë realisht ose shtyjnë të tjerë në vetëvrasje. Ka njërëz në shoqërinë tonë që iu bëjnë skonto vrasësve, i justifikojnë. Ka njerëz që vrasësit e grave dhe të vajzave, edhe në dritë të diellit, kanë dashur t’I shpëtojnë. Ka të tjerë që këto vrasës i kanë shpëtuar, duke mos hetuar, duke i deklaruar vrasjet si vetëvrasje, vetëvrasjet si “depresion” apo si “aksidente” shtëpiake.
Një celular që dridhet brenda shtëpisë në Sukth, një filmim i bërë ndërsa babai ngre dorë mbi nënën, flet shumë. Nuk është prova se Xhemal Loka ka vrarë gruan e tij apo e ka shtyrë në vetëflijim, por tregon dhunën që përjetonte familja, terrorin nga ku, me siguri kërkonte të largohej ajo nënë. Fotot në Tik-Tok me siguri e kanë lënduar një grua si Bedrija, por a mund të ishte kaq e dobët ajo nënë që ka lindur e ka rritur 4 fëmijë për të marrë vendimin e vetëvrasjes?
Në videon e bërë nga fëmijët e saj duket djali më i madh, është i ri, por i vendosur mes nënës dhe babait të tij, duket sikur të jetë një pemë njëqindvjeçare ulliri: i patundur, me rrënjë të thella e krahë të hapura për të mbrojtur nënën. Ai mban babain. Ruan nënën. Vjehrra e Bedrijes jashtë kangjellave të policisë është e shqetësuar për 40 mijë euro, ua thotë gazetarëve, e tregon si një ngjarje që paska ndodhur dhe se dikush i ka grabitur ato para’. Sa e trishtuar është të shohësh njerëz që nuk janë të lënduar për vdekjen e një gruaje.