Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi së bashku me Evdar Kodhelin, kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” janë takuar me banorët e Vajkanit.
Gjatë këtij takimi është theksuar se kundërshtarët më të egër të Armando Subashit sot, më shumë sesa opozitarët, janë socialistët e ndershëm e të zhgënjyer. Ata kanë theksuar se ka ardhur koha për të çliruar Fierin, nga politika klienteliste varfëruese.
Në fjalën e saj nga Fieri deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka theksuar se Fieri e ka votuar Armando Subashin me përqindje shumë të lartë, por çfarë u ka bërë Armando Subashi sot qytetarëve fierakë? Sipas saj qytetarët e bashkisë së Fierit janë larguar dhe e kanë braktsiur vendlindjen e tyre.
“Çfarë ndodh sot me naftën e Fierit ? Qyteti më i pasur dhe qeveria shqiptare përfiton vetëm nga renta minerare e naftës dhe zero investim bëhen në bashkinë e Fierit.
Tani të flasim që ky qytet i madh, qyteti më i pasur mos të ketë trotuare, të mbushet me plehra kur ka gjithë atë incinerator që e keni dhe ju këtu pranë, pra janë kaq shumë gjëra, që po t’u hysh në detaje dhe t’i shikosh një nga një bëhet një mal me problematika. Por ne pak nga pak, nuk themi se do t’i zgjidhim të gjitha menjëherë, por duke përfshirë djemtë dhe vajzat e Fierit në politikbërje në vendimmarrje është një mundësi shumë e madhe që të bëjmë gjëra shumë të mira.” tha Kryemadhi. Sipas saj kjo kohë e mbetur deri në 14 maj duhet shfrytëzuar për maksimizimin e votave. ‘‘Pasi është një ditë shumë e rëndësishme për bashkinë e fierit, por jo vetëm për atë, por edhe ju vetën. Ne sot duhet të shtojmë intensitetin e punës për të shtuar numrin e votave për koalicionin ‘‘Bashkë fitojmë’’.
Po të shikojmë rezultatin që kemi paur në 2021 të mbledhim votat e PD-së dhe votat e LSI-së, sot ne jemi të fituar dhe e përmbysim bashkinë e Fierit.’’, është shprehur në këtë takim me banorët e Vajkanit Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi.
Ndërsa Evdar Kodhelin, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” duke iu referuar bashkisë së Fierit do të theksonte: ‘‘Ajo bashki është një hapësirë e pafund për të gjithë ne dhe nëse e shikojmë që do të jemi të gjithë bllok në atë bashki, unë jam i bindur që do t’ia dalim me fitore. Ajo bashki nuk do të ketë derë dhe postblloqe policie për të vajtur te kryetari i bashkisë.
Ajo bashki do të jetë pa dyer deri te dera e kryetarit të bashkisë, sepse ne do të punojmë fuqishëm për të gjithë qytetarët dhe nuk kemi nga kush të ruhemi.’’
Në këtë takim është siguruar që të gjithë bashkë munden ta kthejnë bashkinë në shërbim të shumicës e jo të një grushti njerëzish. Harku kohor i mbetur është dita e madhe e kësaj beteje historike, të rrëzimit të regjimit rilindas dhe rikthimit të demokracisë në vend.