Ballina Lajme Eurostat: Shqiptarët të fundit në Europë për blerjet online

Eurostat: Shqiptarët të fundit në Europë për blerjet online

1

Interneti e ka ndryshuar në gjithë botën mënyrën se si bëhen blerjet, teksa shumë konsumatorë synojnë të shfrytëzojnë komoditetin dhe lehtësinë e blerjeve online. Por, kjo nuk po ndodh në Shqipëri, si rrjedhojë e përdorimit të ulët të kartave të kreditit, apo dhe informalitetit të lartë në tregtinë me pakicë.

Të dhënat e fundit të Eurostat, që i referohen vitit 2021 tregojnë se vetëm 21% e shqiptarëve që kanë përdorur internetin 12 muajt e fundit kanë bërë blerje online për periudhën përkatëse, shumë më e ulët sesa mesatarja europiane prej 74%.

Nga rajoni më mirë renditet Serbia, me 52.9%, e ndjekur nga Kosova, që i ka të dhënat për vitin 2020, me 47.7%, Maqedonia e Veriut me 46.3%, Bosnjë Hercegovina, me 39%, ndërsa Mali i Zi është i parafundit përpara Shqipërisë, me 31.8%.

Valer Pinderi, drejtues i Netrade sh.p.k., drejtues i Shoqatës Shqiptare të Tregtisë Online ka [pohuar më herët për Monitor se problematika më e madhe e tregut lidhte me mungesën e e investimeve. Nëse nuk ngrihen standarde, nëse nuk përmirësohet infrastruktura, atëherë cilësia e ofruar do të jetë e vogël dhe si pasojë, konsumatori nuk do ta zgjedhë si mënyrë të re të blerjeve të tyre.

Problematika tjetër lidhet me informalitetin, politikat e ndjekura për të luftuar formalitetin jo vetëm që nuk janë efektive, por po japin rezultatet e kundërta, pohon ai. Informaliteti nuk mund të zgjidhet me sulme të rralla agresive ndaj shitësve fundorë, kur distributorët dhe doganat i detyrojnë këta shitës të jenë informalë.

Ai shton se në mënyrë që të nxitet tregu, duhet të qartësojnë si veprohet nga ana legjislative në tregtinë online, sepse inspektorë të ndryshëm e mendojnë gjithmonë ndryshe dhe krijohen probleme si dhe të ndihmohen procesorët e pagesave të kenë akses në bankat e nivelit të dytë dhe Drejtoria e Tatimeve t’i njohë dokumentet e tyre, duke qenë se janë të licencuara nga organet kompetente brenda në shtet.

Shitjet online po rriten ndjeshëm në BE

Sipas Eurostat, blerjet online vazhdojnë të rriten në BE, siç tregojnë të dhënat nga anketa e fundit vjetore mbi përdorimin e teknologjisë së informacionit (TIK) në familje dhe nga individë.

Në vitin 2022, 91% e njerëzve të moshës 16 deri në 74 vjeç në BE kishin përdorur internetin, 75% e të cilëve kishin blerë ose porositur mallra ose shërbime për përdorim privat. Përqindja e blerësve elektronikë u rrit nga 55% në 2012 në 75% në 2022, një rritje prej 20 pikë përqindjeje (pp).

Përqindjet më të larta të përdoruesve të internetit që blenë ose porositën mallra ose shërbime përmes internetit në vitin 2022 u regjistruan në Holandë (92%), Danimarkë (90%) dhe Irlandë (89%). Nga ana tjetër, më pak se 50% kishin blerë online në Bullgari (49%).

Midis 2012 dhe 2022, rritja ishte veçanërisht e ndjeshme në Estoni (+47 pp), Hungari (+43 pp), Çeki dhe Rumani (+41 pp).

Në vitin 2022, blerjet më të zakonshme në internet të mallrave ishin rrobat (përfshirë veshjet sportive), këpucët ose aksesorët (të porositura nga 42% e përdoruesve të internetit).

Pas pajisjeve të veshjes, 5 blerjet më të zakonshme në internet të mallrave fizike u plotësuan nga dërgesat nga restorantet, zinxhirët e ushqimit të shpejtë dhe shërbimet e kateringut (19%), kozmetikë, produkte bukurie ose mirëqenieje (17%), mobilje, aksesorë shtëpie ose produkte kopshtarie, (16%), dhe libra të shtypur, revista apo gazeta dhe mallra sportive (me përjashtim të veshjeve sportive) (të dyja 14%)./ Monitor